14:26 / E Hënë, 10 Shtator 2018 / indeksADMonline

Presidenti Thaçi përshendet emërimin e Limajt

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar sot vendimin e Qeverisë së Kosovës, që negociatat me Serbinë t’i udhëheqë zv/kryeministri, Fatmir Limaj.

Sipas tij, Limaj është njeriu adekuat  dhe se kjo zgjedhje është vendim i duhur dhe i mençur.

“Ka progres në negociata, Qeveria e Kosovës ka themeluar ekipin e vet për këto negociata në krye me z.Limaj, mendoj dhe besoj se ka qenë zgjidhje dhe vendim i duhur, i drejtë dhe i mençur”, ka thënë Thaçi.

Presidenti thotë se ka besim se Limaj bashkë me ekipin e tij, Hoxhaj, Pacolli, Gashi dhe të tjerët, me mundësi të përfshirjes së shoqërisë civile dhe opozitës, do t‘i japin një dinamikë të re këtij procesi me vendosshmërinë dhe përvojën e tyre politike.

Sipas Thaçit, ka kaluar koha kur platformat e Kosovës kanë kaluar përmes pëlqimit apo jopëlqimit të Beogradit.

“Se kush bën pjesë në ekipin e negociatave me Serbinë nuk e bën seleksionimin dhe përzgjedhjen Beogradi, por institucionet e Kosovës dhe pikërisht këtu ftoj spektrin politik që kur të dëgjojnë opinionet e autoriteteve të Beogradit, pikërisht atëherë duhet me i përkrah këto propozime të qeverisë së Kosovës e jo me i nda”, ka deklaruar ndër të tjera Presidenti, duke shtuar se është koha që Kosova të përfaqësohet me njerëz të rezistencës, të dijës dhe të punës.

“Ka kaluar koha kur negociatat apo platformat e Kosovës kanë kaluar përmes pëlqimit apo jopëlqimit të Beogradit, ne jemi ata që vendosim, ne Qeveria dhe Presidenca”, ka shtuar Thaçi./Indeksonline/