08:31 / E Diele, 25 Korrik 2021 / OSH

Presidentja Osmani pas eliminimit të Majlinda Kelmendit: Pavarësisht rezultatit, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas eliminimit të hershëm të Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike.

Ajo me anë të një postimi ka shkruar se Majlinda do të mbetet për Kosovën kampione olimpike e përhershme, transmeton Indeksonline.

Osmani u shprehë se pavarësisht rezultatit, Majlinda Kelmendi ka realizuar ëndrrën e një populli të tërë.

Postimi i plotë:

Majlinda për ne mbetet kampione olimpike e përhershme.

Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, ajo që e ndriqoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin.

Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër. Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndërrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave. Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër.

Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë. Por jo vetëm falënderim Majlindë.

Me ty jemi të gjithë, e arta jonë. Majlinda është Kosova!