18:21 / E Diele, 20 Janar 2019 / indeksADMonline

Prishtina e nis frikshëm stinorin, dyfish më shumë pikë se Trepça

Skuadra kryeqytetase sot shënoi fitore rutinore ndaj Trepçës në kryeqytet, për ta vazhduar bilancin perfekt këtë sezon.

Prishtinasit krijuan epërsi që nga çereku i parë dhe dilemën për fituesin e ndeshjes nuk kishte në asnjë moment, ndërsa rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 105-49.

Koshashënuesi më i mirë te Prishtina në këtë duel ishte Dardan Berisha me 16 pikë, si dhe 5 asistime e 1 kërcim, ndërsa paraqitje të mirë zhvilloi edhe Denis Krestinin me 11 pikë, 17 kërcime e 3 asistime.

Lojtari i ardhur te Prishtina këtë afat kalimtar, Ahmed Bashir, ndeshjen e sotme e mbylli me 13 pikë, 5 kërcime e 1 asistim.

Te mitrovicasit koshashënuesi më i miri në këtë përballje ishte Besnik Azemi me 15 pikë, ndërkohë që pikë dyshifrore te Trepça shënuan edhe Dwane Miner (14) dhe Samir Zekiqi (13).

Fitorja e sotme bën që dominimi i Prishtinës në Superligë të vazhdojë, kurse Trepça pas 15 xhirove ka bilanc 7-8.