Prishtina e Re reagon ashpër ndaj referimit: Jemi dëmtuar në tri ndeshje këtë sezon!
Klubi i futbollit, Prishtina e Re ka reaguar me një komunikatë zyrtare duke shprehur pakënaqësi të madhe ndaj vendimeve të arbitrave në disa ndeshje të këtij sezoni.
Sipas klubit, futbolli dhe loja e bukur nuk duhet të dëmtohen nga vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjeve, shkruan Indeksonline
Nga Prishtina e Re theksojnë se deri më tani janë dëmtuar në tri takime të ndryshme të kampionatit, por se nuk kanë reaguar më herët pasi besojnë se gabimet njerëzore mund të ndodhin.
Në reagimin e tyre përmenden tri raste konkrete. Në ndeshjen Drenica – Prishtina e Re në xhiron e tretë, sipas klubit, një gol i rregullt u anulua pasi referi ndërpreu lojën për një faull që, sipas tyre, nuk ekzistonte. Po ashtu, në përballjen Prishtina e Re – Ferizaj në xhiron e 20-të, klubi pretendon se u anulua goli i dytë për një pozicion jashtë loje të paqenë.
Rasti i fundit, që sipas tyre ka nxitur reagimin publik, ndodhi në ndeshjen kundër Ballkanit. Prishtina e Re pretendon se në minutën e 70-të nuk u akordua një penallti për ndërhyrjen ndaj lojtarit Rudaj, edhe pse sipas tyre pamjet video tregojnë qartë kontaktin.
Klubi thekson se është në një pozitë të vështirë në tabelë, por gara për mbijetesë mbetet e hapur. Nga Prishtina e Re bëjnë të ditur se nuk kërkojnë favore apo ndihmë, por vetëm drejtësi në fushën e lojës.
Në fund të reagimit, klubi kërkon nga gjyqtarët më shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm, duke shtuar se referimi duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë për të gjitha ekipet.

