75 Mall Live Search
21:55 / E Shtunë, 11 Korrik 2026 / G T

Ish-reprezentuesi i Zvicrës, Milaim Rama: “Messin nuk mund ta ndalësh, por mund t’ia vështirësosh lojën”

Ish-futbollisti i parë shqiptar që veshi fanellën e Kombëtares së Zvicrës, Milaim Rama, ka folur për Indeksonline rreth ecurisë historike të Zvicrës në Kupën e Botës, sfidës çerekfinale ndaj Argjentinës, rolit të kapitenit Granit Xhaka, potencialit të Ardon Jasharit dhe mënyrës se si mund të ndalet Lionel Messi.

Rama, i cili sot është 50 vjeç, shprehet se kualifikimi i Zvicrës në çerekfinale është një sukses që tejkalon pritshmëritë e tij.

“Ta them të drejtën, kam besuar se Zvicra mund të arrinte deri në fazën e 1/8 së finales, por nuk e kam pritur që të kualifikohej në çerekfinale. Përballë kishte Kolumbinë, një kundërshtar shumë të fortë, por Zvicra zhvilloi një ndeshje të qetë dhe me shumë disiplinë taktike. Në fund gjithçka u vendos nga penalltitë dhe, pas 72 vitesh pritje, Zvicra shkroi histori duke siguruar një vend mes tetë skuadrave më të mira.”

Duke folur për përballjen ndaj Argjentinës, Rama vlerëson se helvetikët do të kenë një mision shumë të vështirë, por beson se presioni më i madh do të jetë mbi kampionët në fuqi të botës.

“Argjentina vjen në këtë turne për të mbrojtur titullin dhe kjo e bën atë skuadrën që ka më shumë presion. Jam i bindur se Murat Yakin dhe stafi i tij e kanë analizuar në detaje kundërshtarin dhe do ta përgatisin ndeshjen në aspektin taktik në mënyrën më të mirë të mundshme. Yakin është një trajner shumë i përgatitur dhe besoj se di ta menaxhojë këtë lloj sfide. Zvicra do të presë momentin e duhur për ta goditur Argjentinën. Duke parë se edhe në dy ndeshjet e fundit Argjentina ka hasur vështirësi, besoj se Zvicra ka shanset e saj për të bërë një tjetër histori dhe për të kaluar në gjysmëfinale.”

Rama vlerëson lart ndikimin e kapitenit Granit Xhaka, duke e cilësuar atë si figurën më të rëndësishme të kombëtares zvicerane.

“Granit Xhaka është një lider i pazëvendësueshëm për Kombëtaren e Zvicrës. Do të kalojnë shumë vite derisa të vijë një futbollist me karakterin, cilësinë dhe lidershipin e tij. Ai është një kapiten që i mban të bashkuar të gjithë lojtarët dhe këtë po e dëshmon edhe në këtë Kupë Bote. Uroj që së bashku me Zvicrën ta kalojë edhe këtë sfidë dhe të vazhdojë të shkruajë histori.”

Sa i përket Ardon Jasharit, Rama beson se mesfushori shqiptar ka një të ardhme të jashtëzakonshme, pavarësisht se deri tani nuk ka arritur ta shfaqë potencialin e tij të plotë.

“Ardoni është një futbollist me shumë talent dhe një të ardhme shumë të ndritur. Te Club Brugge tregoi se ka cilësi të jashtëzakonshme dhe transferimi te Milani ishte një hap i madh në karrierë. Fatkeqësisht, një dëmtim në fillim të aventurës e pengoi shumë dhe më pas konkurrenca u bë edhe më e fortë. Megjithatë, unë besoj plotësisht se ai do ta tregojë vlerën e tij, qoftë te Milani apo në një klub tjetër të madh. Edhe te Kombëtarja e Zvicrës ende nuk ka pasur mundësinë të shfaqë maksimumin e tij, por jam i bindur se momenti i tij do të vijë. I uroj vetëm shëndet dhe shumë punë.”

Në fund, ish-reprezentuesi zviceran shpjegon se çfarë duhet të bëjë Zvicra për të ndalur Lionel Messin.

“Parashikoj një Zvicër shumë të organizuar në mbrojtje, që do të mundohet t’i mbyllë të gjitha hapësirat dhe të luftojë në çdo cep të fushës. Synimi kryesor do të jetë që Messit t’i kufizohet sa më shumë hapësira për të krijuar apo për të goditur drejt portës. Ta ndalësh plotësisht një futbollist si Lionel Messi është jashtëzakonisht e vështirë, por shpresoj që ai të mos jetë në ditën e tij më të mirë. Nëse ndodh kështu, Zvicra mund t’i shkaktojë probleme shumë serioze Argjentinës.”

Kujtojmë që ndeshja mes Zvicrës dhe Argjentinës zhvillohet nesër në orët e hershme të mëngjesit./Indeksonline/Granit Tërstena/