16:16 / E Premte, 22 Shtator 2023 / S Z

Prishtina me shumë pacientë e pak mjekë

Jo vetëm QKUK-ja përballet me mungesë të stafit mjekësor. Edhe Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, kanë të njëjtin hall. Kanë shumë pacientë e pak mjekë.

Valdet Hashani kryeshef në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, në një intervistë për “Indeksonline”, thotë se QMF-të në Prishtinë kanë shumë pacientë e shërbime që ofrohen, por se nuk ka numër të duhur të stafit mjekësor, për t’i ardhur në ndihmë një numri kaq të madh të pacientëve.

“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ofron shumë sherbime, mbi 3 milion shërbime brenda vitit. Mundeni me marrë me mend së në qoftëse  Prishtina do t’i kishte 180 mijë banorë, i bie që një banor brenda ditës vjen disa herë që nuk është e vërtetë, mëqe regjistrimi i Unmik- ut ka stagnuar me 190 mijë banorë. Bazuar në këtë politikë shëndetësore, Prishtina i ka 100 mjekë dhe 300 a 400 infermiere, e që realisht është një e dyta ose treta e nevojave të cilat realisht I ka..Nuk po e marrim shifren më të madhe por Prishtina sigurisht ofron sherbime për 400 mijë banorë. Për 400 mijë banorë duhet të jetë dyfishi i numrit të punëtorëve shëndetësor”, ka thënë ai.

Ndërsa thotë se personeli mjeksor në qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë, janë të stërngarkuar me punë.

“Zakonisht Prishtina nuk mund ta kalojë numrin e 100 mjekëve, presim derisa ata të pensionohen ose fatkeqësisht kohen e fundit kemi dhe që e kanë lëshuar vendin, kanë kërkuar punë në vende të ndryshme, posaçërisht në shtete e perëndimit në Gjermani dhe Zvicërr dhe kur ata largohen ne ato vende vetëm  i plotësojmë. Keni parasysh dhe gjatë verës kur ata shkojnë në pushime të rregullta verore çfarë probleme hasim për t’i caktuar oraret e rregullta, marrë parasysh që një mjek gjatë orarit të punës, e tejkalon nga 40, 50 deri në 100 pacient në ditë. Kjo vlen dhe për infermierët të cilët janë jashtëzakonisht të vogël në numër”, tha ai.

Hashani nd[r t[ tjera pohon se kanë bërë kërkesa për të rritur stafin, por se këto janë politika të nivelit qendror të cilat nuk mund t’i zgjidh niveli lokal.

Sipas tij Kosova rrezikon të mbetet dhe më tutje pa staf mjekësor nga janari, kur pritet dhe të bëhet liberalizimi i vizave.

“Fatkeqësisht ky është problem jo vetëm i Kosovës. Këtë problem e ka komplet Ballkani, por dhe Evropa Juglindore në përgjithësi. Këtë problem sigurisht do ta kemi dhe do të rritet pas janarit, në qoftëse bëhet liberalizimi i vizave dhe në qoftëse personeli shëndetësor shkon dhe lidh kontratë me njërën nga institucionet shendetësore të vendeve të perëndimit. Keni parasysh se mosha mesatare e mjekëve të Kosovës, bazuar në të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës është diku mosha 58 e 57 vjeçare. Që i bie që brenda 7 a 8 viteve, këta dalin në pension. Si do të jetë Kosova pas 7 apo 8 vitesh, kur pjesa dërmuese e tyre do të pensionohen, e numri i mjekëve të cilët diplomojnë e qëndrojnë në Kosovë është shumë i vogël. Ky ësht problem për të cilën do të duhej të mendojnë politikbërësit dhe niveli qendror i vendit, për fuqizimin apo dhënien e favoreve dhe për ata që diplomojnë dhe duan të punësohen”, ka thënë Hashani.

Ndërsa thotë se të gjithë mjekët e rinj, të cilëve nuk do t’i mundësohet një vend pune, do të ikin nga Kosova.

“Sigursht që po, ne kemi dhjetra mjek dhe infermier që e kanë lëshuar vendin por këto janë sporadike në krahasim me ato që po ndodhin. Meqë këta e kanë pasur një vend pune kanë gjetur vend më të mirë të punës me perdneim apo bashkim familiar zakonisht infermieret tona. Shumica e atyre që nuk do të gjejnë punë do të ikin”, tha Hashani./Indeksonline/