13:17 / E Martë, 19 Janar 2021 / k.v

Pritet të ndërtohet një rreth-rrotullim i ri në Fushë-Kosovë

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me nënkryetarin e Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, kanë vizituar lagjen “Dardania” ku është projektuar të ndërtohet një rrethrrotullim.

Ministri tha se rrethrrotullimi do bëhet për ta shkarkuar lagjen “Dardania” të Fushë-Kosovës për shkak të rritjes së fluksit të veturave.

“Ky rrethrrotullim do të zgjidh problemin edhe për banorët e Fushë-Kosovës por edhe për bizneset që gjendet në këtë pjesë. Nevoja për ta ndërtuar këtë rrethrrotullim ka lindur si shkak i rritjes së numrit të veturave që kalojnë nëpër këtë rrugë”, tha Abrashi.

Ai bëri të ditur se kjo do të jetë zgjidhje afatgjatë që do ta lehtësojë edhe komunikacionin.

“Janë mbi 54 mijë vetura që kalojnë nëpër këtë rrugë brenda ditës, në rrugën “N9” dhe ka qenë e domosdoshme që të ndërtohen një rrethrrotullim”, tha Abrashi.

Projekti ideor është punuar në tre variante nga kompania projektuese e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Ndërsa nënkryetari i Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, tha se projekti do të ketë impakt (ndikim) të madh në Fushë-Kosovë, veçanërisht në lagjen “Dardania”.