Privatësi maksimale! Të ftuarit në dasmën e Taylor Swift duhet të nënshkruajnë marrëveshje konfidencialiteti!
Dasma e shumëpërfolur e superyllit të muzikës pop, Taylor Swift, dhe yllit të futbollit amerikan, Travis Kelce, pritet të zhvillohet nën masa të jashtëzakonshme privatësie, sipas raportimeve të mediave amerikane.
Sipas TMZ, çdo i ftuar do të duhet të nënshkruajë fillimisht një marrëveshje konfidencialiteti (NDA) përpara se të marrë informacion mbi vendndodhjen dhe detajet e ceremonisë.
Burime pranë çiftit bëjnë me dije se vetëm pas konfirmimit të pjesëmarrjes dhe firmosjes së dokumentit, të ftuarve u dërgohen të dhënat për organizimin e eventit.
Marrëveshja ndalon shpërndarjen e çdo informacioni lidhur me ceremoninë, ndërsa shkelja e saj mund të shoqërohet me pasoja ligjore. Megjithatë, detajet konkrete të këtyre masave nuk janë bërë publike.
Në mesin e të ftuarve të përfolur për ceremoninë janë emra të njohur të botës së muzikës dhe spektaklit, përfshirë Karlie Kloss, Zoë Kravitz, Ed Sheeran, Gigi Hadid dhe Selena Gomez.
Nga ana tjetër, sipas raportimeve të Page Six, Miles Teller dhe bashkëshortja e tij nuk do të jenë pjesë e listës së të ftuarve, pas një ftohjeje të raportuar në marrëdhëniet me çiftin.
Mediat amerikane raportojnë se ceremonia mund të mbahet gjatë fundjavës së 3 korrikut në New York City, ndërsa Madison Square Garden është përmendur si një nga vendet e mundshme të organizimit.
Për të shmangur vëmendjen mediatike dhe praninë e paparacëve, organizatorët thuhet se po shqyrtojnë edhe transportimin e të ftuarve me autobusë me xhama të errët drejt vendit të ceremonisë.
Megjithatë, deri në këtë moment, as Taylor Swift dhe as Travis Kelce nuk kanë konfirmuar zyrtarisht datën, vendndodhjen apo detajet e dasmës, duke lënë ende vend për spekulime rreth një prej ngjarjeve më të komentuara të showbiz-it ndërkombëtar.

