08:24 / E Shtunë, 21 Nëntor 2020 / A. M.

Prizrenasit gjobiten me 155 tiketa për mosrespektim të masave kundër pandemisë

Në qendrat tregtare dhe lokacionet tjera në komunën e Prizrenit, Policia e Kosovës ka shqiptuar 155 tiketa për personat të cilët nuk i kanë respektuar masat kundër pandemisë .

Por, prizrenasit të premten nuk u gjobitën vetëm për shkak të mosdisiplinës ndaj koronavirusit, por edhe për kundërvajtje tjera.

Njësia e komunikacionit rrugor e policisë dhe njësitë tjera janë në zbatim të kontrollimit të automjeteve të sezonit dimëror, duke i kërkuar dhe kontrolluar pajisjet dimërore te pjesëmarrësit në komunikacion dhe për këtë arsye dhe kundërvajtje tjera janë shqiptuar 127 tiketa.

Policia njofton se aktivitete të tilla do të jenë në vazhdimësi përderisa situata me “COVID-19” të ndryshojë.