13:54 / E Mërkurë, 16 Mars 2022 / B O

Procesi i emërimit të Kryeprokurorit do të transmetohet në RTK

Me qëllim të avancimit të transparencës, llogaridhënies dhe zhvillimit të një procesi kredibil dhe me integritet, të drejtë dhe objektiv, të bazuar në vlerat e barazisë dhe meritokracisë, me propozimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), sot, në takimin e 210-të, ka marrë vendim që procesi i intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të ri të Shtetit të jetë i hapur për publikun.

Përkatësisht do të monitorohet nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe të transmetohet në Radiotelevizionin Publik të Republikës së Kosovës (RTK).

Po ashtu, Këshilli Prokurorial ka marrë vendim që Konceptdokumentet e të gjithë kandidatëve të publikohen në uebfaqen zyrtar të sistemit prokurorial.

KPK-ja mbetet e përkushtuar që të respektojë në tërësi aktet ligjore dhe nënligjore, si dhe të zbatojë standardet më të avancuara gjatë gjithë procesit të emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.