15:44 / E Martë, 15 Dhjetor 2020 / A. M.

Procesi i integrimeve evropiane për komunat e Kosovës, nënkupton përmirësimin e qeverisjes dhe shërbimeve!

Ashtu siç është edhe në Strategjinë e BE-së për zgjerimin, autoritetet lokale luajnë rol të rëndësishëm në procesin e harmonizimit dhe zbatimit përfundimtar të rregullave të BE-së. Procesi i integrimeve evropiane për komunat nënkupton përmirësimin e qeverisjes dhe shërbimeve, duke filluar nga administrata efikase deri te trashëgimia kulturore, si edhe gjithë sektorët e tjerë në kuadër të kompetencave komunale.

Obligimet dhe kriteret të cilat burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) për Kosovën janë mëse të qarta drejt synimit tonë për anëtarësimin në BE. Duke pas parasysh se, përqindje bukur e lartë e obligimeve bien nën përgjegjësinë e qeverisjes lokale apo zbatohen në komuna, roli i qeverisjes lokale në implementimin e MSA-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Neve na gëzon fakti, se të gjitha raportet e institucioneve të BE-së vlerësojnë punën dhe të arriturat e qeverisjes lokale. Sidoqoftë, zbatimi i legjislacionit dhe strategjive minohen nga burime të pamjaftueshme financiare dhe burime të tjera në nivel lokal, politizimi dhe mungesa e koordinimit.

Andaj, në këtë aspekt është mëse e domosdoshme të sigurohet një ekuilibër dhe koordinim i përshtatshëm midis qeverisë qendrore dhe lokale.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të platformës “Kosova që Duam” me mbështetje të Friedrich Ebert Stiftung – FES.

Shkëlqim Jakupi, drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave në MPL