15:21 / E Enjte, 11 Korrik 2019 / indeksADMonline

Prodhimi i qumështit në Shqipëri u rrit në fund të vitit të kaluar

​Prodhimi blegtoral në vend, shënoi rritje në fund të vitit të kaluar krahasuar me një vit më parë, ku dominoi rritja e prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij.

INSTAT publikoi të dhënat zyrtare mbi prodhimin blegtoral, ku citon se, në vitin 2018, sasia e qumështit të grumbulluar arriti në rreth 139 mijë ton, duke shënuar rritje me 5,87 %, krahasuar me vitin 2017.

Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar shënoi 120 mijë ton, ose 10% më shumë se në vitin 2017, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhive regjistroi shifrat përkatësisht rreth 12 mijë ton dhe 6 mijë ton.

Sipas INSTAT, në vitin 2018, sasia e qumështit të prodhuar për konsum është rreth 14 mijë ton, në rritje me 7,26 %, krahasuar me 2017. Ndaj sasisë gjithsej të qumështit të prodhuar në vitin 2018, qumështi i plotë i përpunuar përbën 77,1%, qumështi gjysëm i skremuar 22,0 %, qumështi i papërpunuar 0,7% dhe qumështi i skremuar 0,2% .