09:27 / E Premte, 06 Maj 2022 / k.v

Produkte me logo antikushtetuese në Kosovë

Kosova është shtet tash e 14 vjet. Por në treg vazhdojnë të qarkullojnë produkte të cilat vijnë nga Serbia e të cilat anashkalojnë shtetësinë e saj.

RTK ka hasur në disa produkte të cilat shiten në treg dhe të cilat mbajnë mbishkrime antikushtetuese të cilat Kosovën e paraqesin si protektorat ndërkombëtar e ku shkruhet-“UNMIK-Kosovo”. Lidhur me këto, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se nuk do të ketë tolerime derisa Dogana e Kosovës nuk është përgjigjur se në çfarë rrugës kanë hyrë këto produkte.

Produktet me emërtime të cilët janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar të Republikës së Kosovës, vazhdojnë të jenë në tregun dhe raftet e marketeve në Kosovë.

Nga ky biznes ku RTK ka gjetur shitje të këtij malli, nuk kanë kthyer ende një përgjigje. Duke mos qenë në dijeni për këto produkte në tregun kosovar, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një prononcim për RTK-në, u ka bërë thirrje të gjithë inspektorateve komunal që t?i adresojnë shkeljet e tilla. “Unë do t’i ndaloj të gjitha që kanë hyrje me UNMIK. Deri tash çdo gjë është e ndaluar. Nëse është bërë ndonjë shkelje, ka hyrë përmes Doganës, pa dijenin e Doganës-ajo duhet të adresohet. Në mandatin Kurti nuk lejohet asnjë emërtim me emrin UNMIK. Ne kemi kërkuar që UNMIK të largohet në përfaqësimin tonë edhe në sekretariat në CEFTA. Ajo është e papranueshme. Ne tashme nuk po i aprovojmë vendimet e tyre për shkak se Kosova është e përfaqësuar me UNMIK””, tha ajo.

Pavarësisht insistimit të RTK-së, Dogana e Kosovës nuk ka kthyer ende përgjigje nëse produkte të tilla kanë hyrë përmes doganës apo rrugëve të tjera ilegale.