11:31 / E Mërkurë, 30 Nëntor 2022 / S Z

Profesionistët shëndetësor akuzojnë Qeverinë për mos transparencë sa i përket Projektligjit për paga

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ditë më parë, ka miratuar Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik. Sipas Qeverisë, ky Projektligj po krijon për herë të parë në Kosovë sistemin e unifikuar të pagave, i cili ka në thelb drejtësinë në rregullimin e pagës, për të gjithë të punësuarit, që paguhen nga buxheti i shtetit.

Por profesionistët shëndetësor, pohojnë se nuk janë në dijeni se çfarë përmban ky Projektligj, dhe se e kanë të paqartë se si do të rregullohen pagat e tyre, përmes këtij Projektligji.

Blerim Syla, mjek dhe ish kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), për “IndeksOnline”, ka deklaruar se ata ende nuk e dinë vlerën e koeficientit për pagat e profesionistëve shëndetësor, pasi që Qeveria nuk ka qenë aspak transparente, sa i përket këtij Projektligji.

“Kemi të bëjmë me një jo transparencë. Sepse neve ende nuk e dimë vlerën e koeficientit. Duke mos ditur vlerën e koeficientit, kjo i bjen që Qeveria mundet me lujt në çdo moment edhe pse ndoshta  në pamje vizuale duket se është 12 koeficienti. Por nëse vlera është e vogël, atëherë me të vërtetë ka me qenë një gjendje, që prapë me qu në Kushtetuese këtë ligj. Qeveria nuk e ka dhënë vlerën e koeficientit. Sikur ta jepte vlerën e koeficientit Qeveria, ne si punëtorë shëndetësorë, do ta dinim ku e kemi vendin. Ashtu siç është  tash nuk mund të themi se jemi të kënaqur apo të pakënaqur”, tha ai.

Ndërsa thotë se ata presin që koeficienti për punëtorët shëndetësor të jetë 130 apo 140 euro, në mënyrë që ata të jenë të kënaqur me paga.

“Nëse koeficienti është 130 apo 140 euro, atëherë unë them se për kushtet tona është e kënaqshme. Mirëpo unë dhe njëherë po e potencoj që Qeveria nuk është transparente në këtë dhe nuk e ka bërë të ditur sa është vlera e koeficientit. Neve kemi pritur që koeficienti të jetë diku ka 140 euro. E më këtë mendoj që punëtorë shëndetësor, kishim me dal mirë me këtë ligj”, tha ai..

E  Blerim Delija, nënkryetar i FSSHK-së thotë se ata përafërsisht janë në dijeni se çfarë përmban Projektligji për paga. Por thotë se nëse koeficienti do të jetë nën vlerën prej 120 euro, atëherë do t’u shkaktojë probleme të mëdha.

“Përafërsisht jemi në dijeni. Kemi diskutu i kemi vërejtjet tona, sa i përket ligjit të pagave. Nëse koeficienti do të jetë mbi 120 euro, atëherë do të jetë i papranueshëm për ne Ligji i pagave, do të jetë i kënaqshëm. Por nëse koeficienti do të jetë nën 120 euro, atëherë ajo do të jetë diskutabile dhe do t’i dërgojmë vërejtjet tona sipas vlerësimit . Nëse vlera e koeficientit është nën 120 euro, atëherë për neve shkakton probleme të mëdha”, tha ai.

Ndërkaq deputeti Bekim Haxhiu, i cili është dhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi, tha se nuk janë në dijeni se çka përmban ky Projektligj.

” Projektligji ka kaluar në Qeveri.  Ne nuk jemi në dijeni çfarë përmban ky Projektligj”, ka thënë për Haxhiu për “IndeksOnline“.