16:38 / E Mërkurë, 26 Janar 2022 / AR

Profesori turk në SHBA zhvillon mënyrën e trajtimit efektiv kundër të gjitha varianteve të Covid-19

Profesori turk, prof. dr. Derya Unutmaz, me detyrën e kryehulumtuesit në Institutin e Laboratorit “Jackson” në shtetin Connecticut të SHBA-së, tha se kanë arritur përparime të rëndësishme në punimet që kanë kryer mbi një metodë të re trajtimi që mund të jetë efektiv kundër të gjitha varianteve të COVID-19.

Unutmaz, i cili prej 30 vitesh punon si ekspert i imunologjisë në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli rreth metodës që ata kanë zhvilluar duke përdorur teknologjinë e biologjisë sintetike.

Ai tha se variantet e COVID-19 mund të shpëtojnë nga antitrupat që trupi zhvillon dhe se për këtë arsye me virus mund të infektohen edhe personat që përfundojnë vaksinat. Sipas tij, shembulli i fundit të kësaj është varianti Omicron i cili aktualisht vazhdon ndikimin e tij në botë.

Pasi bëri të ditur se bashkë me ekipin e ndërmorën këtë rrugë me pyetjen: “A mund të zhvillojmë një sistem imunitar i cili do të jetë efektiv kundër të gjitha varianteve”, Unutmaz shpjegoi pikën e arritur rreth metodës së re për të cilën kanë punuar për një kohë të gjatë.

“Këtë e kemi arritur pak kohë më parë. Çfarë lloj metode trajtimi? Në të vërtetë këtu kemi përdorur teknologjinë e biologjisë sintetike. Në sipërfaqen e virusit ndodhen zgjatime të cilat i quajmë proteina spike. Këto janë çelësat e virusit. Duke përdorur këto, virusi lidhet në kyçin në sipërfaqe të qelizës dhe hyn brenda duke e hapur atë. Më pas prodhon proteinat e tij, i përhap në qeliza të tjera duke u klonuar. Kjo tek Omicron është në një pikë më të avancuar sepse ka ndryshuar aq mirë atë çelës saqë mund të lidhet më mirë me kyçin dhe në të njëjtën kohë mund të shpëtojë edhe nga antitrupat”, tha Unutmaz duke shtuar:

“Metoda që ne kemi zhvilluar në të vërtetë është që të vendosim në grackë virusin. Si e bëjmë këtë? Kemi marrë kyçin dhe me biologjinë sintetike e kemi bërë në një molekulë. Kur virusi shikon këtë, kujton se lidhet me kyçin e qelizës, neutralizohet në një vend kur lidhet me të, pra bllokohet dhe nuk mund të hyjë brenda qelizës”.

Duke vënë theksin se asnjë variant i COVID-19 nuk mund të shpëtojë nga kjo metodë, Unutmaz potencoi se përderisa virusi zhvillon veten ai lidhet edhe më mirë me kyçin sintetik dhe për këtë arsye punimi që kanë zhvilluar do të jetë një metodë efektive edhe kundër varianteve që mund të shfaqen në të ardhmen.

– “Parandalojmë përhapjen e virusit edhe në qeliza të tjera”

Unutmaz foli edhe në lidhje me një mekanizëm të dytë që kanë zhvilluar, përveç kthimit në molekulë të kyçit në sipërfaqen e qelizës.

“Të tregojmë qelizat e infektuara me virusin brenda nesh. Po e shpjegoj në mënyrë të thjeshtë, këtë mund ta përngjasojmë pak edhe me armët, pra si të etiketosh me lazer një qelizë të infektuar, armikun. Në të njëjtën kohë, në planin pas ndodhen snajperët e sistemit imunitar që i emërtojmë qeliza T. Është e nevojshme që këto të etiketohen se në cilën prej këtyre qelizave ndodhet virusi brenda. Gjithashtu këtë e bën edhe ana e dytë e molekulës sintetike që ne kemi prodhuar”, tha Unutmaz.

Ai thotë se molekulat sintetike ndihmojnë në shkatërrim duke u treguar qelizave T, qelizat e infektuara me virus. “Falë kësaj parandalojmë edhe prodhimin e virusit, pra që ai të përhapet në qeliza të tjera”, thekson Unutmaz.

Profesori turk Unutmaz tërhoqi vëmendjen se kjo është një metodë e zhvilluar në mënyrë që virusi të mos shpëtojë dhe se kjo metodë teknologjike mund të përdoret duke u zhvilluar edhe kundër viruseve të reja që shfaqen.

– “Reaksionet e deritanishme janë shumë pozitive”

“Kemi punuar rreth një vit me parashikimin që kemi filluar me këtë metodë. Kemi arritur rezultate shumë të suksesshme në mjedis laboratori në programin e qelizave që janë pjesërisht biologji sintetike dhe se fazat pas kësaj janë provat e kafshëve dhe të njerëzve”, tha Unutmaz.

“Mendojmë se punimet për kafshët mund t’i përfundojmë deri në verë, ndoshta edhe më herë nëse mund të përparojmë shpejt. Pas kësaj do të fillojmë sërish me shpejtësi punimet tona për njerëzit dhe ndoshta deri në fund të vitit do ta qartësojmë këtë mënyrë trajtimi”, tha ai.

Duke vënë në dukje se ata janë shumë të emocionuar për pikën e arritur në studime, Unutmaz njoftoi se reagimet e para të ardhura nga shkencëtarët për punimet paraprake janë shumë pozitive dhe inkurajuese.

“Në fakt, prej dy vitesh po zhvillohen punime të jashtëzakonshme mbi COVID-19. Zhvillimi i një metode të tillë në këtë proces, sigurisht që na lumturon pa masë. Ndoshta të tjerëve nuk u erdhi në mendje ose nuk ia kanë arritur. Kjo sigurisht që nuk është e rëndësishme sepse e rëndësishme është që ne të ofrojmë dobi për njerëzimin. Reaksionet e deritanishme janë shumë pozitive”, tha Unutmaz.

– “Me variantin Omicron mendoj se do të përfundojë një pjesë e rëndësishme e pandemisë”

Pasi bëri të ditur se kjo metodë e gjetur kundër COVID-19 është një e parë, Unutmaz tha se në të njëjtën kohë ata janë frymëzuar mbi imunoterapinë e kancerit për të cilën kanë punuar prej kohësh dhe se këtë koncept e kanë përshtatur me qelizat e infektuara me virusin.

Ai vuri në dukje se këto studime janë mbështetur nga dy mjekë turq specialistë të imunologjisë, njëri prej të cilëve jeton në Turqi.

“Shkencëtarët, studentët më të mirë që kanë ardhur deri më tani tek unë kanë dalë gjithmonë nga turqit dhe jam shumë i lumtur që ata mbështesin kryesisht punimet novatore”, shtoi Unutmaz.

Unutmaz tha se edhe në Turqi bioteknologjia është zhvilluar dhe se në të ardhmen një pjesë e studimeve mund t’i zhvillojnë atje.

Lidhur me pandeminë e COVID-19, Unutmaz tha: “Kemi kaluar nga një proces i vështirë, kanë kaluar pothuajse 2 vite. Të gjithë jemi shumë të lodhur por njerëzit, kategorikisht nuk duhet të dëshpërohen. Me Omicron mendoj se do të përfundojë një pjesë e rëndësishme e pandemisë. Me metodat që kemi zhvilluar do të përgatisim mbrojtjen tonë kundër varianteve të ardhshme. Njerëzit të mos shqetësohen, sepse në fund do të fitojë njerëzia dhe shkenca”./aa/