09:18 / E Martë, 04 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Profili i ministrit të Brendshëm, Agim Veliu

Agim Veliu, i njohur për qëndrimin e tij të gjatë në pushtet, është ministri i ri i Punëve të Brendshme.

Por, kush është Agim Veliu dhe si arriti që të jetë në pushtet për më shumë se 20 vjet.

I lindur me 25.07.1960 në fshatin Bradash, Komuna e Podujevës, Agim Veliu me profesion është jurist, derisa flet, përveç gjuhës Shqipe, edhe anglishten dhe serbokroatishten.

Image result for agim veliu

Është i martuar me Igballën dhe kanë dy fëmijë, Shkumbinin dhe Naserin.

Kryetari aktual i Podujevës dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili sot do ta marrë postin e ministrit të Brendshëm, nisi karrierën politike në vitet 90-të, qysh nga themelimi i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Podujevë.

Veliu ishte një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, më vonë edhe udhëheqës i kësaj dege për shumë vjet.

Ndërsa, që nga viti 1998, Veliu është pushtet, duke qenë në pozita udhëheqëse qoftë në nivelin lokal, qoftë atë qendror.

Ministri i ri i MPB-së në zgjedhjet e vitit 1998, ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, anipse ato zgjedhje ishin mbajtur në kohë lufte.

Ndërsa, menjëherë pas luftës, Veliu sërish merr poste udhëheqëse, ku në vitin 2000 bëhet zëvendëskryetar i Bordit administrativ.

Po ashtu në vitin 2000, Veliu ishte bërë kryetar i Kuvendit të Komunës së Podujevës deri në vitin 2002. Por, sërish në vitin 2002, Veliu bëhet kryetar i Kuvendit të Komunës së Podujevës, post të cilin e mban deri në vitin 2004.

Mirëpo, në vitin 2004 kur mbahen zgjedhjet parlamentare, në qeverinë e krijuar midis LDK-së e AAK-së, Agim Veliu, nga niveli lokal avancohet në nivel qendror, duke marrë post ministror.

Image result for agim veliu

Agim Veliu, në atë qeveri ishte bërë ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, post të cilin e ka mbajtur nga viti 2004 deri në vitin 2007.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve në vitin 2007, kur LDK-ja humbi zgjedhjet, Agim Veliu, bëhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Si përfaqësues i qytetarëve në organin me të lartë ligjvënës, Veliu qëndron për dy vjet, 2008 –2009.

Sepse, ai në zgjedhjet lokale të vitit 2009, vendos t’i kthehet sërish nivelit lokal duke kandiduar për kryetar të Podujevës, zgjedhje këto të cilat i fitoj dhe merr mandatin e kryetarit të Podujevës.

Veliu bëhet i pamposhtur në Podujevë, pasi që nga viti 2009, ka fituar tri herë në zgjedhje lokale.

Post zgjedhjeve të 2009-s, Veliu pastaj fitoi edhe në zgjedhjet tjera në vitin 2013 dhe 2017, post të cilin e mban ende, deri në votimin e qeverisë “Kurti”.

Agim Veliu, aktualisht është edhe kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Nënkryetari i LDK-së, tani ministër i Punëve të Brendshme, muajve të fundit ishte në qendër të vëmendjes, pasi nuk lëshonte pe për koalicionin me Vetëvendosjen pa plotësimin e kërkesave të LDK-së.

Madje, jo rrallë ai u vu në qendër të kritikave dhe sulmeve nga aktivistë të partisë së Albin Kurtit.

Veliu ishte bërë hit kur në njërën nga takimet me Vetëvendosjen ku po zhvilloheshin negociatat për marrëveshje për koalicion bashkëqeverisës.

Kjo pasi nënkryetari i Vetëvendosjes Besnik Bislimi kishte treguar prapaskenat e bisedimeve, ku në njërën nga takimet, Veliu kishte thënë se “Çohuni se nuk ka asgjë!”.

Megjithatë, në ditën e fundit Vetëvendosja u pajtua me kërkesat e LDK-së dhe vendosi t’ia jap pozitën e kryetarit të Kuvendit, post të cilin e mbante Glauk Konjufca, pasi ishte zgjedhur me 26 dhjetor në seancën konstituive të Kuvendit.