17:23 / E Diele, 12 Dhjetor 2021 / C E

Progni: Fitorja për fansat, japim maksimumin për titull

Sulmuesi shqiptar, Gerhard Progni ka qenë “heroi” i Gjilanit në kryendeshjen e sotme kundër Ballkanit.

Progni realizoi golin e vetëm në fitoren 0-1 të Gjilanit në udhëtim te Ballkanit, takim ky ishte i fundit i stinorit vjeshtor, me ç’rast Gjilani u shpall kampion vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll.

Futbollisti nga Tropoja e Shqipërisë pas ndeshjes u shpreh i lumtur për golin e shënuar, ndërsa fitoren ia dedikoi tifozëve të skuadrës.

Ai premtoi maksimumin për të sjellur rezultate pozitive edhe në stinorin pranveror në mënyrë që të stolisen për herë të parë me titullin e kampionit në elitën e futbollit kosovar.

“Është kënaqësi të shënoj gola të tillë. Jemi një grup shumë i mirë dhe mund të them që kjo fitore i dedikohet tifozëve tanë. Është e rëndësishme të jemi kampion vjeshtor por e rëndësishme është që po e shijojmë momentin dhe futbollin. Jemi në gjysmën e rrugës dhe kemi bërë shumë mirë deri më tani. Do të japim maksimumin që të arrijmë rezultate pozitive”, deklaroi Progni për Art Sport.