17:06 / E Martë, 06 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Programi Nacional për Rininë, Hoti takohet me Ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Podgoricë, ku u prit në takim nga Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi, Mehmed Zenka.

Koordinatori Hoti prezantoi para ministrit Programin Nacional për Rininë dhe kërkoi nga ai që të ndihmojë në implementimin e tij nëpër komunat me popullsi shqiptare, e pse jo edhe në ato me popullsi malazeze dhe komunitete tjera.

“Është kënaqësi që sot të prezantoj para jush Programin Nacional për Rininë për të cilin besoj fuqishëm që mund ta adaptoni për zbatim për të gjithë nxënësit dhe studentët edhe në Mal të Zi”, tha Hoti.

Duke e falënderuar për vizitën delegacionin nga Kosova, ministri Zenka tha se vizita të tilla janë shumë të nevojshme, sidomos kur nga to ka projekte konkrete.

“Është hera e parë që kemi diçka konkrete. Është një program shumë i veçantë për të cilin unë do të punoj shumë që ta adaptojmë edhe për shkollat shqipe dhe pse jo, nëse ka gatishmëri, edhe për shkollat e komuniteteve tjera. Ideja e Programit Nacional për Rininë është shumë e mirëseardhur dhe unë besoj se gara që parashihet me program do t’i motivojë nxënësit e studentët”, tha ministri Zenka.

Ai premtoi se do të angazhojë stafin e vet për t’u marrë sa më afër me Programin Nacional për Rininë.

Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri, tha se janë të gatshëm për bashkëpunim me Malin e Zi për të siguruar implementim sa më të mirë të programit.

Temat: