12:58 / E Enjte, 03 Qershor 2021 / AR

Programi për arsim i Qeverisë së Kosovës në mes pritshmërive të larta dhe zhgënjimit të madh

Shkruan: Jonuz Salihaj

Pritëshmëritë e mëdha të krijuara nga opinion publik në këto tri vitet e fundit për qeverisje efektive në fushën e arsimit, treten sa qelë e mbyllë sytë, posa të lexoni Programin e Qeverisë për Arsim.

Programi i renditur nga faqja 42, fillon me të ashtuquajturat  6 zona të transformimit: “edukimin parashkollor,tekstet e reja shkollore, shkollimin profesional, sistemin e bursave, arsimin e lartë pa pagesë dhe themelimin e fondit për hulumtime shkencore”.

Gjuha e përdorur nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi as me terminologjinë elementare arsimore, sepse bëhet një përzierje e palejueshme e niveleve të arsimit me segmente tjera, si tekstet shkollore dhe fondin për hulumtime shkencore. Në të vërtetë këtu nuk është shpalosur ndonjë risi, sepse fondi për hulumtime shkencore ekziston, sistemi i bursave gjithashtu por dhe arsimi i lartë pa pagesë për disa kategori të studentëve.

I vetmi prioriet  i paralajmëruar me zë të lartë, edhe gjatë fushatës,  ishte premtimi për investime në infrastrukturë, në nivelin 01 dhe 02 të arsimit, ndërtimi i 160 çerdheve dhe kopshteve, që i  bie, adaptimi apo ndërtimi i 40 institucioneve të reja parashkollore në vit. Kjo është edhe e pa mundur edhe e panevojshme. E pamundur sepse nevojitet një buxhet prej 20 milion euro në vit dhe e panevojshme, sepse nuk kemi fëmijë për një numër të tillë të institucioneve, si rezultat i braktisjes së vendit dhe zvogëlimit drasatik të natalitetit nga viti në vit. Sinqerisht kam pritur nga kjo Qeveri që institucionet publike në nivelin 01 dhe 02 të jenë pa pagesë, sepse edhe ashtu pagesat janë simbolike, pasi me një  shumë  prej 50 eurove në muaj nuk sigurohet buxheti i nevojshëm për funksionimin e tyre.

Programi nuk ka kurrfarë kontinuiteti, p.sh. flitet  për heqje të pagesës për çerdhe të fëmijëve për kategori të caktuara të popullsisë,  qe edhe ashtu ekziston,  mandej nga kjo çështje, bëhet kapërcimi  te tekstet shkollore. Harrohet kurrikuli bërthamë për arsimin parashkollor, si prioritet absolut, i aprovuar në ditët e fundit të mandatit të ministrit Bytyqi, pa asnjë analizë,  pa ndryshimin e të cilit nuk ka materiale didaktike as tekste shkollore.

Një segment tjetër me rëndësi të vecantë – arsimi profesional, trajtohet në një paragarf. Përmendet planifikimi për shkolla digjitale, kur nxënësit e këtyre institucioneve nuk kanë kurrikulë as tekste shkollore. Asnjë fjalë për ndryshimin e rrjetit të këtyre shkollave dhe numrin e lëmenjëve të punës, asnjë fjalë për nomenklaturën e profesioneve, asnjë fjalë si do të mbështetën kërkesat e ndërmarrësisë me kuadro të tilla, kur raporti i përfshirjes së fëmijëve në shkollat profesionale po zvoglohet çdo ditë në favor të gjimnazeve.

Dominojnë frazat-do të angazhohemi për arsim cilësor nëpërmjet stabilizimit të gjendjes në shkolla pas pandemisë COVID-19, por si do të bëhet kjo nuk nuk ekxiston asnjë shpjegim.

Madje programi ka edhe fraza të tilla që tingllojnë bukur, që janë përdorë sa për të krijuar një përshtypje se kinse po thuhet diçka e mençur si fraza , “në arsimin parauniversitar logjika gjuhësore, logjika matematikore dhe mendimi kritik do të jenë pjesë e praktikave të mësimdhënies në të gjitha nivelet”. Si do të realizohet kjo, cilat mekanizma do të përdoren pë jetësimin e këtij zotimi nuk ka përgjigje.

Tutje thuhet, “në bashkëpunim me mësimdhënësit do të sigurojmë një model të vlerësimit dhe shpërblimit të performances”. Nuk ka përgjigje a do të jetësohet udhëzimi administrative për gradimin e mësimdhënësve, ky është vlerësim i përformancës, që është obligim ligjorë.

Vlerësimi i jashtëm, në të gjitha nivelet e arsimit, paraqet pikën më të dobët të sistemit tonë arsimor. Në program këtij procesi i kushtohet vetëm një fjali, “do të rrisim besueshmërinë për rezultatet e testeve kombëtare dhe do të hartojmë politika arsimore bazuar në të dhëna”.

Opinioni arsimdashës ka pritur nga një parti që ka fituar bindshëm besimin e popullit, si do të rritet besueshmëria e procesit të vlerësimeve të jashtëm. A duhet të ndryshohet Ligji për Maturën Shtetërore që besoj se është domosdoshmëri. A do të shndërroni njësinë e vogël për vlerësim( Divizioni për Sigurimin e Cilësisë, Standarde, Vlerësim dhe Licencim) në Agjencion, gjegjësisht Qendër Nacionale për Vlerësim të Jashtëm. A do të ndryshohen instrumentet matëse për vlerësim, sidomos për shkollat profesionale që janë katastrofale dhe shkelin të drejtat e fëmijëve. Nuk mund të vlerësohen 13 lëmenjtë e punës të shkollave profesionale me katër lloje të testeve ku nuk përfshihet asnjë lëndë e përgjithshme dhe e ngushtë profesionale. Kjo duhet ndryshuar me urgjencë .

Edhe arsimi i lartë është trajtuar si fontanë dëshirash, në stilin do të angazhohemi, që është fraza më e përseritur në program, si të ishte kjo platformë e ndonjë OJQ-e, jo e Qeverisë. Asnjë fjalë për mënyrën e funksionalizimit të universiteteve publike, ndryshimin e rrjetit të tyre, monitorimin e mënyrës së realizimit të programeve.

Asnjë fjalë pë kolegjet dhe universitetet private, për cilësinë e mësimdhënies, dhënjen e  diplomave pa njohuri elementare për devalvim të skajshëm të arsimit të lartë. Nuk ka mundësi të përdoret fraza, “arsim i lartë me cilësi dhe integritetit, në harmoni me standardet ndërkombëtare”, kur kemi mbi 30 institucione private të arsimit, të cilat kryesisht janë në garë për përfitime material dhe masin suksesin e tyre kur sjellin ndonjë politikan ose ekspertë të jashtëm të paguar mirë, për të mbajtur ndonjë ligjeratë për të njoftuar opinionin publik se ekzistojnë.

Si përfundim, një program i cili kënaqet  vetëm me identifikimin e prioriteteve,  pa vizion të qartë dhe  pa  asnjë objektivë kohore për jetësimin e tij,  më shumë është një mision i pamundur se sa  një program.