14:03 / E Hënë, 15 Mars 2021 / k.v

Programi për praktikë në punë/ Njihuni me mësuesen më të re, Albinë Orana

“Pas çdo fëmije që beson në vetvete, është një mësuese, e cila e ka besuar më parë këtë”.

Albina Orana hap çdo ditë dyert e kopshtit për fëmijë përballë këtij slogani i cili i shërben si motiv për të dhënë më të mirën nga vetja për fëmijët e kopshtit, ku ajo është e angazhuar si mësuese praktikante.

Albina po mësohet ngadalë me epitetin “mësuese” edhe pse në planet e saj profesionale ajo gjithnjë ka planifikuar të bëhet mësuese e ciklit parafillor, për cak edhe ka përfunduar studimet e nivelit bachelor. Fëmijët menjëherë kanë filluar të adaptohen më mësuesen Albinë, e cila gjithë njohuritë e saj gjatë përgatitjeve akademike po mundohet t’i praktikojë sa më mirë me fëmijët, ani pse e pranon se puna me fëmijë aq sa është kënaqësi, është edhe përgjegjësi.

“Fëmijët mësojnë përmes lojës. Vëmendja e tyre mbahet nëpërmjet aktiviteteve të përshtatshme për grupmoshat e tyre që u mundëson të kuptojnë mirëfilli atë që po e mësojnë”, thotë Albina.

Gjatë studimeve, Albinës i është mbetur e ngulitur në kokë një këshillë nga njëri prej profesorëve të saj që i këshillonte se për të arritur bashkëpunimin dhe komunikimin e duhur me fëmijë, duhet t’i bëjmë të ndihen të barabartë me ne dhe të përkulemi teksa flasim me ta. Këtë Albina e ka çdo ditë parasysh sa herë që fillon punën me fëmijët dhe afërsia është ajo çfarë e karakterizon tërë kohën.

Albinë Orana është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, nëpërmjet Programit për Praktikë në Punë, për të ndjekur praktikën profesionale në kopshtin “Play and Learn” në Fushë-Kosovë.

Xhemile Berisha, drejtore e kopshtit thotë se kopshti ka gjithsej 55 fëmijë dhe kanë ende nevojë për edukatorë të kualifikuar. Ajo shprehet shumë e kënaqur me angazhimin e Albinës dhe qasjen e saj profesionale e të afërm me fëmijët, duke mos përjashtuar mundësinë që Albina të mbetet më gjatë e punësuar në këtë institucion.

Nëpërmjet Programit për Praktikë në punë, po mbështeten 400 të rinj e të reja të diplomuar brenda dy vjetëve të fundit në Kosovë, të ndjekur praktikë profesionale 6-mujore në sektorin privat dhe OJQ-të në vend.

Përveç dhënies së mundësive për këta të rinj që të ndërlidhin njohuritë akademike me ato praktike, nëpërmjet Programit për Praktikë në Punë po synohet edhe stimulimi në punësim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.