22:39 / E Martë, 25 Shkurt 2020

Projekti gjigant “BOREA” , në duar të qeverisë Kurti

Në shtator të viti 2018, nisën punimet për projektin më të madh në qytetin e Pejës – Qendrës Turistike dhe Rekreative – “Borea”.

Kjo qendër është vetëm 900 metra larg qytetit të Pejës, ndërsa parashihet të punësojë rreth 500 persona qysh në vitin e parë të funksionimit të saj.

Por, punimet për këtë qendër u ndërprenë për arsye të pezullimit të lejes së ndërtimit, nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor gjatë qeverisjes së kaluar.

Ani pse sipas udhëheqësve të këtij projekti dokumentacioni është dorëzuar në maj të vitit 2019 si dhe taksat janë paguar po në atë kohë.

“Më datën 4 tetor 2019 kemi marrë një vendim nga ministria e lartëcekur për pezullimin administrativ të lejes për arsye të mos zonimit të Parkut Nacional «Bjeshkët e Nemuna», që në fakt nuk ka lidhje me projektin Borea. Kjo vonesë e madhe ka rrezikuar dhe vazhdon te rrezikojë investitorët të cilët nuk e kuptojnë frenimin e këtij projekti me interes nacional”, thuhet në një reagim të kompanisë.

Ndërsa, në një përgjigje për IndekSonline nga Zyra për Informim e MMPH-së, thuhet se deri sa nuk është aprovuar Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, që ligjërisht nuk ka zonim, prandaj nuk mund të konstratohet se cilës zonë i përkasin parcelat ku parashihet ndërtimi i kësaj qendre, punët s’mund të vazhdojnë.

“Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave ka shqyrtuar kërkesën Raportin e VNM-së, dokumentacionin e dorëzuar të kompanisë  “ Fileit”L.L.C. Pejë, për Pëlqim Mjedisor  për Kompleksi i hoteleve dhe stacioni i teleferikut (Qendra turistike Borea), në Bellopojë, Komuna e Pejës.dhe vlerëson si në vijim:

Sipas përgjigjes së dhënë nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës me kërkesën e pronarit, të kompanisë në fjalë, ku kërkohet verifikim i vendndodhjes  së lokacionit gjeografike të parcelave 1/1, 2/1 Z.K. Bellopojë, Komuna e Pejës  dhe ngastrat kadastrale 3/1, 8/1 Z/K. Koçishtë, 88/1 Z.K. Haxhaj, 1/1 Z.K. Bogë, 99/1, 216/1 Z.K.Shkrelaj , 39/1, 281/2 Z.K.  Shkrel dhe 8/1, 9, 13/1, 77/1 Z.K. Malaj, deri sa nuk është aprovuar Plani Hapsinor I PK “ Bjeshkët e Nemuna” , ligjërisht nuk ka zonim, andaj nuk mund të konstatohet se cilës zonë i përkasin këto parcela.

Aktualisht mund të vertetojmë se lokacioni i parcelave kadastrale të lartëshënuara ndodhen Brenda  PK “Bjeshkët e Nemuna””.

Tutje në përgjigjen e ministrisë thuhet se  Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ende nuk është aprovuar e që aktualisht, dokumenti është në procedurë të dërgimit në Qeveri dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës për aprovim.

 “Instituti i Planifikimit Hapësinor rekomandon  që lënda mos të shqyrtohet deri në aprovimin e dokumentit në fjalë.

 Deklarohet i pezulluar procedimi adminstrativ i kërkesës për Pëlqim Mjedisor me nr.prot.: 19/1965/2-287/DMMU, të kompanisë “ Fileit”L.L.C. Pejë, për Pëlqim Mjedisor   për Kompleksi i hoteleve dhe stacioni i teleferikut (Qendra turistike Borea), në Bellopojë, Komuna e Pejës.

Me miratimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, MMPH do të vazhdon procedimin administrative sipas procedurës së  rregullt”.

Ndryshe, deri më tani në këtë projekt janë investuar më shumë 1.5 milionë euro. Ndërsa, kostoja e jetësimit pritet të kap shifrën 53 milionë euro dhe që është në partneritet publiko-privat./Indeksonline