13:53 / E Mërkurë, 20 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Projekti për parkingun nëntokësor pritet të fillojë gjatë kësaj vere

Parkingu nëntokësor përballë Fakultetit Filologjik do të fillojë gjatë verës së këtij viti, ndërsa për këtë projekt deri më tani janë dy kompani garuese.

Kështu ka njoftuar drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota, ku sipas tij, nga kjo garë janë tërhequr dy kompani, për të cilat nuk ka ndonjë informatë pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Ai gjatë një konference për media njoftoi se për projektin e parkingut nëntokësor përballë Fakultetit Filologjik, deri më tani janë dy kompani garuese.

“Pas tri viteve punë intensive tashmë jemi në fazën finale të përzgjedhjes së operatorit ekonomik, i cili do të fitojë kontratën dhe do të vazhdojë punën me ndërtimin e projektit në fjalë. Për momentin kemi dy kompani garuese që kanë mbërri në fazën finale që quhet kërkesa për propozim. Numri i vend-parkingjeve që kemi kërkuar është minimum 500, në dy nivele, numri i lokaleve, i cili është përfolur është maksimum 500 m2, jo më shumë, ndërsa hapësira mbi sipërfaqe, do të jetë sipërfaqe do të jetë gjelbëruese, një park qendror i qytetit, i cili do të ketë qasje për të gjithë”, ka thënë ai.

Bashota gjithashtu njoftoi se dy kompani të tjera janë tërhequr nga gara dhe se nuk ka ndonjë informatë pse ka ndodhur një gjë e tillë.

“Janë tërhequr nga gara dy kompani. Kanë ofertuar “Nuha” dhe “Jaha Company”, janë tërhequr nga gara Besnik dhe konsorciumi kosovar, “Al Trade”. Në garë për momentin i kemi dy kompani dhe vazhdojmë më tutje me përzgjedhjen e njërës prej tyre, sa për sqarim ligji i partneritetit publiko-privat e  mundëson edhe nëse është një kompani në garë në fazën e propozimit të shkoj më tutje. Ne ia që i kemi dy dhe jemi optimist që të dyja në garë kanë sjellë diçka kualitative që të kemi brumë për të përzgjedhur dikë prej tyre  dhe të vazhdojmë më tutje”, tha ai.

Ai tha se procesi i zgjedhjes së ndërtuesit të parkingut do të zgjasë një muaj, ndërsa u shpreh optimist se gjatë këtij viti do të fillojë ndërtimi i parkingut nëntokësor.

“Jam optimist që do të filloj, nuk mundem me qenë shumë hipotetik dhe me ju treguar edhe datat, për arsye se zgjidhet njëri ankohet tjetri, janë procedura të ankesës, ose ndoshta nuk ankohet, është pak hipotetike. Por, mendoj që ka brumë, nëse shkon krejt sipas planit atëherë ne shumë shpejt mund të arrimë kontratën me ta, atëherë komuniteti i GDP-së duhet ta aprovojë, asgjë tjetër që i bie ka vera e këtij viti fillojmë me punë”, ka thënë ai.