21:00 / E Hënë, 21 Maj 2018 / indeksADMonline

Projektkodi Penal i Kosovës – avokatët tregojnë çka ka ndryshuar

Komisioni për legjislacion ka miratuar në parim Projektkodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ky kod i ri sjell disa ndryshime sa i përket veprave penale të terrorizmit, për të cilat janë paraparë dënime të larta, kryesisht që lidhen me terrorizmin vendor dhe atë ndërkombëtarë, kështu ka deklaruar avokati i njohur kosovar, Tomë Gashi.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka komentuar këtë nismë të sistemit të drejtësisë. Gashi ka treguar se çka përfshin projektkodi në fjalë.

“Me këtë projektkod të ri Penal kemi vetëm disa ndryshime kozmetike dhe efekti mund të jetë vetëm propagandistik. Janë të parapara dënime më të larta për keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe ka të bëjë me disa ndryshime që janë inkorporu dhe që lidhen me veprat penale terroriste. Unë besoj se efekti është më tepër që të tregohet jashtë Kosovës kinse Kosova është jashtëzakonisht e interesuar për luftën kundër terrorizmit dhe që të deklarohen edhe formalisht për një lloj lufte për më tepër luftë kruciale apo serioze është duke u bërë kundër krimit të organizuar”, ka thënë Gashi.

Më tej, ai thotë se nuk ka qenë i nevojshëm projektkodi Penal. Sipas tij, kodi i ka pasur ligjet e mira, por aplikimi i tij ka qenë më problematik për arsye të politikës.

“Nuk ka ndryshime pa marrë parasysh dënimet që janë të parapara. Sepse ligjet ne edhe ashtu i kemi pasur të mira përkatësisht Kodit Penal por aplikimi i tij ka qenë shumë problematik për arsye të ndikimeve politike”, ka përfunduar ai.

Në anën tjetër, avokati Ali Beka ka folur po ashtu lidhur me këtë çështje.

Beka ka treguar shkurtimisht përmbajtjen në parim të këtij projektkodi.

“Projektkodi Penal ka për qëllim rregullimin e veprave penale. Me këtë kod kanë bërë që sanksionet për disa vepra penale i kanë rritur i kanë bërë të hatashme. Edhe mundësia kryesore që është bërë me këtë kod është te konfiskimi i pasurisë, për të cilat janë ndryshime pak më kruciale”, ka thënë Beka.

Rikujtojmë, se kushti i fundit i Kosovës nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kësisoj, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka deklaruar se projektkodi Penal është në harmoni me standardet dhe legjislacionin e BE-së. Sipas tij, janë tri parime themelore për t’u krijuar ky Kod Penal./Indeksonline/