Projektligji pro importit të veturave më të vjetra se 10 vjet shkon në Kuvendin e Kosovës
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal miratoi sot raportin me rekomandime për plotësim-ndryshimin e Ligjit për automjete, pavarësisht se deputetët e opozitës Mimoza Kusari-Lila, Dardan Sejdiu dhe Hykmete Bajrami kanë bojkotuar mbledhjen.
Një veprim i tillë i tyre u bë në shenjë kundërshtimi ndaj raportit me rekomandime për Projektligjin për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.Anëtarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Mimoza Kusari-Lila u shpreh se një projektligj i tillë rrezikon mjedisin në Kosovë, andaj si tillë nuk e votojnë. Sjellja e deputetëve të opozitës nuk iu pëlqeu aspak anëtarëve të tjerë të këtij komisioni që i takon pozitës, duke thënë se po deputet po bëjnë skena teatrale.
Anëtari i komisionit për Zhvillim Ekonomik nga PDK-ja, Memli Krasniqi largimin e anëtarëve nga mbledhja e ka konsideruar si qesharake. Ai tha se ish-ministret e Tregtisë, duke aluduar në Mimoza Kusari-Lilën dhe Hykmete Bajramin, po e duan ambientin pasi kanë dal në opozitë. Sjellje hipokrite e ka konsideruar veprimin e deputetëve të opozitës edhe anëtari tjetër, Muharrem Nitaj.
Këtë veprim të deputetëve të opozitës e ka kundërshtuar edhe kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha Shala duke thënë se ikja e opozitës tregon se janë opozitë brenda partive të tyre.
Në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, është miratuar raporti për Projektligjin për efiçiencë të energjisë si dhe me kërkesë të anëtarit nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj u vendos që shqyrtimi i propozim- vendimit të Qeverisë për kandidatët për kryesues që Bordit të ZRRE-së të hiqet nga rendi i ditës dhe t’i kthehet prapa qeverisë.