17:40 / E Martë, 29 Maj 2018 / indeksADMonline

Prokuroria do të ankohet ndaj lirimit të Salih Mekajt

Jo më shumë se një ditë pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës e liroi nga akuza ish-kryetarin e Apelit, prokurorja e këtij rasti po paralajmëron ankesë në Gjykatën e Apelit.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari për kallxo.com tha se do të ushtrojë ankesë kur të pranojnë aktgjykimin e shkallës së parë.

“Ju njoftoj se pas pranimit të aktgjykimit patjetër do të ushtroj ankesë, e bindur, siç jam e bindur në çdo rast timin, që aktakuza ime është e drejtë dhe e bazuar në ligj”, tha prokurorja Hajdari.

Prokurorja Speciale tha se është e befasuar me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Unë jam tejet e befasuar me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, meqë si në aktakuzë, ashtu dhe në shqyrtimin gjyqësor, kam paraqitur prova të cilat pa dyshim vërtetojnë ekzistimin e veprës penale, për të cilën është akuzuar i pandehuri Salih Mekaj dhe persona të tjerë”, tha ajo.

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit ishte arrestuar në korrik të vitit 2015 nën dyshimin se kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare ndërsa Prokuroria në maj të vitit 2016 njoftoi se kishte ngritur aktakuzë ndaj Mekajt duke pretenduar se kishte keqpërdorur detyrën e tij.

“I pandehuri S.M. në cilësinë e personit zyrtar, (në atë kohë kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës), ka shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar, duke i premtuar të pandehurës V.G. se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste, si dhe ri cilësimin juridik të veprave penale, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që dy të pandehur në ato raste të lirohen nga paraburgimi”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë para dy viteve.

Megjithatë, pas një procesi gati dyvjeçar prapa dyerve të mbyllura, dje Gjykata Themelore e Prishtinës e liroi nga akuza pasi që vlerësoi se gjatë shqyrtimit nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat për të cilat akuzoheshin.

Në vendimin e Themelores thuhej se Mekaj u shpall i pafajshëm për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, çka nënkupton se vepra ndaj tij është ricilësuar nga prokurorja.

Po ashtu të pafajshëm u shpallën edhe tre të akuzuarit e tjerë të këtij rasti. Vlora Gorani e cila akuzohej për shtyrje në ushtrim të ndikimit, si dhe Mentor dhe Ali Seferaj për veprën penale të dhënies së ryshfetit.