17:57 / E Enjte, 19 Tetor 2017 / indeksADMonline

Prokuroria kërkon arrestimin e Tahirit

Në Shqipëri Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar sot nga parlamenti autorizim për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, ish ministër i Brendshëm, si dhe autorizimin për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës”.

Kërkesa e Prokurorisë pason goditjen në Itali tre ditë më parë të një grupi kriminal italo-shqiptar, i përfshirë në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Pjesë e këtij grupi janë dhe dy vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, i pari tashmë i arrestuar ndërsa tjetri i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.

Vëllezërit Habilaj rezultojnë të kenë lidhje faresfisnore me zotin Tahiri. Në përgjimet e kryera nga pala italiane, Moisi Habilaj e përmend në disa raste gjatë bisedave të tij emrin “Saimir”, të cilin hetuesit italianë e identifikojnë pikërisht me ish ministrin shqiptar.

Habilaj flet për shuma disa miliona euroshe që sipas tij Saimiri “kishte siguruar vetëm në një muaj” dhe se atij nuk i mjaftonin “as 20 milion euro për fushatat elektorale”. Në raste të tjera përmendet një shumë prej “30 mijë eurosh që duhet t’ja jap atij”, apo dhe për dhurata disa mijëra eurosh “për gruan dhe nënën e Sajmirit”.

Tahiri shpjegoi dy ditë më parë se Habilajt ishin kushërinj të tij “të gradës së dhjetë” dhe se kishin abuzuar duke përmendur emrin e tij, ndërsa tha se përveç rastit të shitjes së autoveturës së tij, ai nuk ka patur dhe nuk ka me ta “asnjë raport, aq më pak të paligjshëm”. Ish ministri deklaroi se do të kërkonte nga Prokuroria një hetim të plotë ndaj tij dhe punës së tij.

Në njoftimin e saj Prokuroria shpjegon se kërkesa për heqjen e mandatit është në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

Prokuroria për Krime të Rënda, sqaron më tej në një komunikatë se po “zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal, i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sattiva nga Shqipëria në drejtim të Italisë”, dhe se në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi ajo kërkon dhe autorizimin për arrestimin e ish ministrit të Brendshëm.

Menjëherë pas njoftimit të Prokurorisë për kërkesën e saj dërguar parlamentit, kryetari demokrat Lulzim Basha kërkoi thirrjen e menjëhershme të Komisionit të mandateve dhe të seancës parlamentare për të votuar heqjen e imunitetit, “që do ti hapë rrugë arrestimit të menjëhershëm të Saimir Tahirit. Çdo minutë, çdo orë vonesë do të shërbejë për shkatërrimin e provave”, deklaroi zoti Basha.

Mbrëmë gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm një operacion i Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe forcave speciale të policisë çoi në sekuestrimin në fshatin Babicë e Vogël në qarkun e Vlorës, të afro 4 ton marijuanë e cila, sipas njoftimeve, i përket pikërisht grupit të Habilajve.

Sasia e madhe e lëndës narkotike u gjet në banesën e Armando koçerrit, 31 vjeç, i dyshuar të jetë pjesë e të njejtit grup. Gjatë operacionit u sekuestrua edhe një gomone, në pronësi të Ferdindand Habilaj, me prokurë përdorimi nga Moisi Habilaj, një armë gjahu, si dhe një sasi fishekësh pistolete dhe automatiku./voa