12:59 / E Hënë, 01 Tetor 2018 / indeksADMonline

Prokuroria po merret me rastin e vrasjes në AKI

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka mbajtur sot mbledhjen, ku në raportim ka qenë shefi i AKI-së Shpend Maxhuni.

Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit për AKI, ka thënë se në detaje janë informuar për të gjitha zhvillimet në vend.

Sa i përket vizitës së presidentit Hashim Thaçi në Ujman, ajo tha se nuk beson që ka shkelje ligjore.

“Besoj që nuk ka shkelje ligjore sa i përket pjesëmarrjes së drejtorit aty. Nuk kemi bë pyetje se nuk ka qenë shkelje”, tha Musliu.

Ndërsa sa i përket vrasjes që ka ndodhur kohë më parë në AKI, ajo ka thënë se tashmë po merret prokuroria.

“Rasti i vrasjes, rasti i rëndë tragjik me përmasa shqetësuese për opinionin, tashmë me rastin merret prokuroria, do të kemi një epilog. Nuk jemi të interesuar ta dëmtojmë këtë proces, por të zbardhet më shpejt. Ne kemi kërkuar përgjegjësi, disiplinë rregull brenda institucionit, zero tolerancë sa i përket rasteve të tilla, sepse AKI është institucion më i lartë i sigurisë. Kemi kërkuar kujdes të shtuar që  rasti i fundit mos të përsëritet”, u shpreh Musliu.

Ndryshe, muajin e kaluar një përleshje mes punëtorëve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, përfundoi me vrasje. Isa Sejdiu mbeti i vdekur pas plagëve që mori nga dy plumbat që u gjuajtën në drejtim të tij.

Pjesëtari i sigurimit në AKI-së, Valon Ibërdemaj dyshohet se gjuajti me armë drejt kryekuzhinierit Sejdiu, duke e lënë këtë të fundit pa shenja jete.

Ngjarja ndodhi brenda objektit të AKI-së, institucioni ky me sigurinë më të lartë në vend. AKI ka hedhur poshtë mundësinë që rasti të ketë të pasur të bëjë me çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e këtij institucioni.