10:33 / E Martë, 13 Mars 2018 / indeksADMonline

Prokuroria sqaron procedurat e mëtutjeshme për rastin e Azem Sylës

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar gjatë ditës së djeshme kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit ndaj Azem Sylës, duke e liruar atë që të mbrohet në liri.

Mirëpo Prokuroria e Shtetit pritet që të ankohet për këtë vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë sapo ajo ta marrë vendimin.

Ekrem Lutfiu nga Prokuroria e Shtetit ka thënë për Gazetën Online Insajderi, se prokuroria deri më tash ende nuk ka marr vendimin nga Gjykata.

“Prokuroria ende nuk e ka marrë vendimin. Sapo ta marrin vendimin, atëherë Prokuroria do të ankohet”, ka thënë Lutfiu.

Më shumë se dy vjet hetime kishte zhvilluar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për të ngritur aktakuzë ndaj Azem Sylës dhe 22 të pandehurve të tjerë – disa prej të cilëve dyshohen se ishin pjesë e grupit të tij – në tetor të 2016-s.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës akuzohej për një seri veprash penale që ndërlidheshin me krimin e organizuar.

Në aktakuzë ishin renditur 46 pika të akuzës për vepra penale duke përfshirë ‘krim të organizuar’, ‘pastrim i parave’, ‘marrje të mitos’, ‘mashtrim i rëndë’, ‘mashtrim në detyrë’, ‘nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme’, ‘keqpërdorim i pozitës zyrtare’, ‘legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar’ dhe ‘evazion fiskal’.

E pas më shumë se një viti përballje me drejtësinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Azem Syla, i njohur si “Daja i madh”, është liruar gjatë ditës së djeshme – vetëm 20 ditë pasi rasti i tij u transferua nga gjykatësit e EULEX-it tek ata vendorë.