14:44 / E Premte, 02 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Prokurorja bënë presion mbi policinë pasi djali i saj u përfshi në rrahje

Të enjten rreth orës 02:00 ka ndodhur një përleshje në mes disa personave në restorant “Shekulli” në qytetin e Gjakovës. Sipas burimeve të Indeksonline në këtë përleshje është përfshirë edhe djali i prokurores së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Mone Syla, D.S.

Indeksonline merr vesh se prokurorja Mone Syla ka bërë presion mbi zyrtarët policor për t’i ndryshuar deklaratat e të përfshirëve në këtë përleshje në mënyrë që të ja lehtësoj veprën djalit të saj. Se sa ka ndikuar ky presion i prokurores mbi policinë dhe vet prokurorinë tregon edhe vendimi që është marrë sot nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Indeksonline ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe zëdhënësja e saj në një përgjigje më shkrim thotë se: “Ka filluar procedura hetimore me aktvendim për fillimin e hetimeve. Ka filluar hetimi për veprën penale ndaj të pandehurve E.J., E.B., GJ.D., për veprën penale “lëndim i rendë trupor”, ndërsa për të pandehurin D.S., ka filluar hetimi për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Nga prokurori përgjegjës i rastit në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është bërë kërkesë për caktim të masave, kundër të pandehurit E.J., dhe E.B., KERKESE PER CAKTIMIN E ARRESTIT SHTEPIAK në kohë zgjatje prej një muaji, ndërsa kundër të pandehurit GJ.D., dhe D.S., KERKESE PER PARAQITJE NE STACION POLICOR-Gjakovë , në kohë zgjatje prej një muaji”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

I pandehuri D.S është pikërisht djali i prokurores Mone Syla të cilit i është caktuar masa e detyrimit për paraqitje në polici.

Ndërsa edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh e ka konfirmuar rastin ku e ka cilësuar si lëndim i rëndë trupor.

“Qabrat, Gjakovë 01.11.2018 – 02:00. Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj K-Shqiptarë, pasi që të njëjtit janë përleshur fizikisht në mes vete. Të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe pas pranimit të tretmanit mjekësor me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në komunikatën e Policisë./Indeksonline/