13:34 / E Enjte, 08 Dhjetor 2022 / AR

Promovohet shampanja e parë kosovare, Haradinaj kërkon përkrahjen e produkteve vendore

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj ka marrë pjesë në eventin e promovimit të shampanjës së parë nga Kosova i prodhuesit të njohur vendor, Stone Castle.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ky biznes i suksesshëm është dëshmia më e mirë e një investitori shqiptaro-amerikan.

“Një mbrëmje e veçantë në eventin e promovimit të shampanjës së parë kosovare, nga prodhuesi i njohur vendor, Stone Castle. Bodrumi i Rrustem Gecajt, i udhëhequr me shumë sukses nga djali i tij Avdiu, është dëshmia më e mirë e një investimi shqiptaro-amerikan, që sot me shumë krenari ka pushtuar tregun botëror me produktet e veçanta të verërave”, ka shkruar Daut Haradinaj.

Ai ka thënë se përmes këtij investimi, Kosova përfiton shumë ngase krijohen vende të reja pune duke siguruar mirëqenie shumë familje.

“Duhet përgëzuar këtë sukses dhe duhet përkrahur maksimalisht këtë kulturë, e cila i jep imazh të mirë Kosovës dhe njëkohësisht i siguron mirëqenien qindra familjeve shqiptare”, ka përfunduar Daut Haradinaj.