11:48 / E Mërkurë, 12 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Prona e komunës përplas Dalladakun e Maqanin

Katër vjet më parë, një objekt gjigant kishte filluar të ndërtohet në tokën pesë hektarësh, në hyrje të Lipjanit. Por, sot e asaj dite aty kanë mbetur vetëm shtyllat e betonit. Biznesmeni Faton Dalladaku, në vitin 2007 kishte marrë nga Komuna e Lipjanit tokën për shfrytëzim afatgjatë, ku në plan kishte ndërtimin e një spitali.

Por në pamundësi që të përmbushte kontratën me Komunën e Lipjanit, Faton Dalladaku këtë parcelë pretendohet se ia kishte dhënë Mentor Maqanit, ani pse e njëjta ishte e destinuar për spital.

Derisa mbrojtja e Mentor Maqanit thotë se klienti i tyre u mashtrua duke e blerë pronën e Faton Dalladakut, ky i fundit ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet se e ka shitur pronën.

Në tokën pesëhektarëshe, që ndodhet afër rreth rrotullimit, rrugës për Lipjan, Maqani kishte nisur punimet në objekt, porse ato u ndërprenë nga inspektorët e Komunës së Lipjanit, diku në vitin 2016, pasi Dalladaku nuk i ishte përmbajtur rregullave dhe procedurave të parapara.

Njoftimi i Komunës së Lipjanit për shkëputje të kontratës

Pas ndërprerjes së punimeve, Maqani ka kërkuar nga Faton Dalladaku që t’ia kthente paratë të cilat pretendon se i kishte paguar dhe investimin e bërë në atë parcelë.

Dalladaku rastin e kishte lajmëruar në polici, duke pretenduar se paratë po i kërkohen nga Maqani në emër të fajdes.

E me dyshimin se Maqani ka kryer vepër penale, në maj të vitit 2019, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në operacionin “Dallga” që kishte bërë bujë të madhe në opinion.

Bashkë me Maqanin ishin arrestuar edhe katër persona të tjerë, Ismet Osmani, i njohur ndryshe si Curri, Ilir Bojku, Adil Thaçi dhe Rrahim Hashimi. Të gjithë këta persona së bashku me 2 persona që ishin në arrati dyshoheshin se kanë përfituar miliona euro përmes fajdes, detyrimit dhe mashtrimit që nga viti 2012. Ata sot janë të lirë, mirëpo gjykimi ndaj tyre ende nuk ka përfunduar.

IndeksOnline ka kontaktuar me avokatin mbrojtës të Mentor Maqanit, Naim Rudarin, i cili ka thënë se klienti i tij në realitet është viktimë e Faton Dalladakut porse nga prokuroria është cilësuar si i dyshuar.

“Faton Dalladaku kishte marrë nga Komuna e Lipjanit një tokë për shfrytëzim të përkohshëm sipas vendimit nr. 464-331 të datës 23.10.2003 e më pas kishte bërë edhe një kontratë për shfrytëzimin afatgjatë të kësaj toke të cilën kontratë e kishte lidhur me numër 1-463-332 të datës 04.10.2007 në emër të Fatmir Dalladakut dhe Kuvendit Komunal të Lipjanit e më pas Kuvendi Komunal i Lipjanit kishte nxjerrë aktvendimin për leje ndërtimore me numër nr.351-253 të datës 25.08.2008 të lëshuar nga Kuvendi Komunal në Lipjan te Faton Dalladaku”, ka thënë avokati Rudari.

Toka dhe objekti

Më pas Faton Dalladaku këtë parcelë, gjithnjë sipas avokatit, ia ka shitur Mentor Maqanit edhe pse e njëjta ishte marrë me destinim për ndërtim të spitalit, ku Mentor Maqani ia ka bërë pagesën prej 322. 000 € ku prej tyre 100 .000€ ka paguar përmes xhirollogarisë bankare, më pas ka bërë 80. 000€ investime dhe i ka dhënë në shuma të ndryshme pjesë-pjesë shumën prej 142. 000€.

“Punimet që kanë qenë aty, një pjesë si punë e vrazhdë dhe një pjesë të investimeve që ka bërë Mentor Maqani e që duhej të vazhdonin edhe më tutje, i kanë ndërprerë Kuvendi Komunal i Lipjanit diku në vitin 2016, pasi që Faton Dalladaku nuk i ishte përmbajtur rregullave dhe procedurave të parapara”, ka thënë avokati.

Procesverbali i inspektorëve komunal për ndërprerje të menjëhershme të punimeve

Mentori, sipas avokatit të tij, më pas ka kërkuar nga Faton Dalladaku që t’ia kthente paratë të cilat i kishte paguar dhe investimin e bërë në atë parcelë, por Faton Dalladaku nuk kishte pasur mundësi apo nuk kishte pasur vullnet që t’ia kthente paratë e tij Mentor Maqanit.

“Faton Dalladaku duke mos pasur mundësi apo duke mos pasur vullnet për të paguar borxhin ndaj Mentorit apo duke pasur qëllime të tilla apo të mashtrimit ai e gjen rrugëdaljen përmes policisë ku lajmëron rastin në polici kinse Mentori ia kishte kërkuar paratë në emër të fajdes”, ka deklaruar mbrojtja e Mentor Maqanit.

Avokati Naim Rudari

IndeksOnline ka kontaktuar përmes telefonit edhe me Faton Dalladakun, i cili ka hedhur poshtë të gjitha deklarimet se kinse prona i është shitur Mentor Maqanit.

“Nuk është e vërtetë që unë e kam shitur pronën. Ai mund të thotë gjithçka, mirëpo ju kisha lut që ti referoheni aktakuzës dhe policisë. Nuk mund ta shitesh pronën e komunës por mund ti shitesh aksionet për aksionarë të ndryshëm madje atë disa herë brenda ditës. Mentor Maqani është tërhequr nga aksionet sepse i ka ra ndërmend se nuk mundet me ndërruar destinimin e pronës nga spital siç ka qenë e paraparë, në hotel”, ka thënë Dalladaku.

Ai thotë se Komuna i ka ndërprerë punimet dhe më të ndodhet ende në proces gjyqësor.

“Komuna nuk ka të bëjë asgjë me Mentor Maqanin sepse unë jam pronar dhe kam qenë gjithmonë pronar dhe asnjëherë nuk e kam tjetërsuar pronën. Mentori e ka dhënë një paradhënie dhe jemi marr vesh verbalisht për aksione por ai nuk i ka kry të gjitha obligimet dhe vet është tërhequr”, ka thënë Faton Dalladaku.

Faton Dalladaku

Ai thotë se Mentor Maqani dhe të tjerët janë munduar me ja shty një borxh të fajdexhive që i ka marr për Rrahimin e Hashimin por nuk kanë mundur.

“Më kanë bo shumë detyrime, me kanë kanos e kërcënuar dhe për të gjitha i kam lajmëruar organet e rendit dhe të drejtësisë të cilat kanë vepruar. Unë nuk mbështetem në deklaratat e avokatëve të askujt, as në media, por mbështetem në ligj”, ka thënë Dalladaku.

IndeksOnline ka pyetur edhe Komunën e Lipjanit përkitazi me parcelën në fjalë, ku të njëjtit kanë thënë se ajo tani është pronë e komunës porse e njëjta ndodhet në procedurë gjyqësore.

“Me vendimin e Kuvendit Komunal Lipjan 15Nr.464-11830 datë 04.03.2016 të miratuar për anulimin e vendimit 1Nr.464-331 dt.23.10.2013 dhe shkëputjen e kontratës 1-463-322 dt.04.10.2007 për shfrytëzimin afatgjatë të pronës së paluajtshme është vendosur për anulimin e vendimit 1Nr.464-331 dt.23.10.2013 dhe shkëputjen e kontratës 1-463-322 dt.04.10.2007 për shfrytëzimin afatgjatë të pronës së paluajtshme për Qendrën Medicionale “Intermed” SHPK Lipjan, përfaqësuar nga Fatmir Dalladaku. Kjo për shkak të mospërmbushjes së kushteve të kontratës që dhe i njëjti vendim është konfirmuar si i ligjshëm edhe nga MAPL-ja sipas Shkresës Nr.020-424/5 datë 23.03.2016 ,pranuar nga komuna datë 24.03.2016 ref.1-020-14692″, thuhet në përgjigjen e Komunës së Lipjanit.

Parcelat Kadastrale 166-3 dhe 164-10 ZK Konjuh

Po ashtu Komuna e Lipjanit ka bërë të ditur se parcelat Kadastrale 166-3 dhe 164-10 ZK Konjuh janë në pronësi të P.SH Kuvendi Komunal Lipjan, mirëpo ende nuk janë dhënë në shfrytëzim për shkak se lënda është në procedurë gjyqësore.

Avokati i Mentor Maqanit, Naim Rudari ndër të tjera ka thënë se lidhur me rastin, me datën 22 gusht 2018 klienti i tij është paraqitur në zyrat e Njësisë së Hetimeve për Krime Ekonomike dhe Korrupsion pasi që paraprakisht ishte ftuar nga hetuesit e kësaj njësie për intervistim.

Mentor Maqani

“Mentor Maqani më ka ftuar edhe mua si avokat mbrojtës që ta përfaqësoj gjatë deklarimit në polici, e që policia i ka parashtruar pyetje lidhur me këtë çështje, të cilën klienti im e ka sqaruar në detaje, më pas ai është liruar për në shtëpi. Mentori edhe pse kishte respektuar thirrjen e policisë dhe më pas nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim tjetër ai është arrestuar dhe ndaluar me datën 20.05.2019 në ora 06:45 të mëngjesit në një operacion të përgatitur nga Policia e Kosovës duke u shoqëruar nga mediume të ndryshme dhe duke e bërë operacionin dhe arrestimin me një publicitet të jashtëzakonshëm kinse ai dhe tre persona të tjerë janë arrestuar nën dyshimin e kryerjes së veprave penale “Fajde”, “Detyrim” dhe “Mashtrim”, ka deklaruar ai.

Atyre u është caktuar masa e paraburgimit ku kanë qëndruar pesë muaj e dhjetë ditë, dhe sipas Rudarit, pa pasur asnjë argumentim të vetëm por vetëm ishin supozime të policisë të cilat i kishte besuar prokuroria e më pas edhe Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit ndonëse nuk ishte shpalosur asnjë provë e vetme për asnjërin nga të arrestuarit e hiq më pak për Mentor Maqanin derisa ai me datën 10.11.2019 është liruar duke ju zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e dorëzanisë./IndeksOnline/

Aktvendimi për leje ndërtimore