09:37 / E Mërkurë, 12 Dhjetor 2018

Protesta e studentëve në Tiranë, policia arreston 23 persona

Policia e Tiranës ka njoftuar këtë të mërkurë se ka proceduar penalisht për pjesëmarrje në një protestë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente, dhe për prishjen e rendit e qetësisë publike, 23 persona, mes të cilëve profesorë, aktivistë, por edhe përfaqësues të forumeve partiake.

Të proceduarit janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës edhe për pengim të qarkullimit të automjeteve të transportit, sikurse edhe për hedhjen e sendeve të forta në oborrin e institucioneve, duke iu referuar këtu Ministrisë së Arsimit.

Mes të proceduarve janë profesor Edmond Tupe, këngëtari Robert Aliaj, si dhe aktivistët politikë Gaetano Doci e Andrea Gjini nga LSI-ja dhe Kristina Tonal nga FRPD-ja.

Akuzat e ngritura ndaj tyre kanë të bëjnë periudhën e përçarjes së studentëve në tri grupe, pas skadimit të afatit të vendosur qeverisë për përmbushjen e kërkesave të tyre, njëri para MASR-së, tjetri para Kryeministrisë dhe i fundit te “Zogu i Zi”.

Policia njofton se po punon për identifikimin e personave të tjerë që kanë bllokuar rrugën te sheshi “Rilindja”, pasi janë të fotografuar.

Lista e plotë e të proceduarve: Edmond Tupe, Robert Aliaj, Altin Goxhaj, Mirela Ruko, Klodian Leka, Estela Nazarko, Xhuljano Bregasi, Henri Fero, Liri Guci, Gentian Doci, Malbor Duka, Nehbi Bushaj, Klajdi Bello, Redi Muci, Luan Myrtaj, Erdi Bërxulli, Agron Pepaj, Migen Qiraxhi, Bledar Hysa, Adriatik Lapaj, dhe aktivistët politikë Gaetano Doci e Andrea Gjini (LSI) dhe Kristina Tonal (FRPD)./TCh/