15:07 / E Enjte, 25 Prill 2019 / indeksADMonline

Protestë afër autostradës ‘Arbën Xhaferi’, arrestohen gjashtë persona

Policia rajonale e Ferizajt ka njoftuar se sot është mbajtur një protestë në fshatin Nikaj të Kacanikut afër autostradës ‘Arbën Xhaferi’, në shenjë pakënaqësie për mos’hapjen e një rruge.

Në njoftim thuhet se protestuesit penguan punimet e kompanisë ‘Bechtell&Enka’, e që rezultoi me arrestimin e gjashtë personave, transmeton Indeksonline.

Më poshtë njoftimi i policisë:

Sot rreth orës 10:00, në fshatin  Nikaj të Kaçanikut, në afërsi të autostradës “Arbën Xhaferi”, në shenjë pakënaqësie për mos hapjen e një rruge alternative, kanë protestuar rreth 30 persona – kryesisht banorë të kësaj zone, të cilët kanë penguar punimet e kompanisë “Bechtell & Enka”.

Në lokacionin e lartpërmendur kanë dal zyrtarët policor të SP të Kaçanikut të mbështetur edhe nga NJRSH e Ferizajt.

Edhe pse policia i ka informuar dhe urdhëruar protestuesit që të mos pengojnë punimet dhe të largohen, të njëjtit nuk i kanë zbatuar urdhrat. Me këtë rast, policia i ka arrestuar dhe sjell në stacionin policor gjashtë (6) persona të cilët nuk i kishin zbatuar urdhrat e ligjshëm.

Lidhur me këtë,  është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ua ka shqiptuar gjobat mandatare (tiketë) të gjashtë personave dhe të njëjtit janë liruar.

Bëhet e ditur se protestuesit  tjerë janë shpërndarë dhe se  punimet në autostradë kanë vazhduar pa ndonjë pengesë. /Indeksonline/