07:38 / E Premte, 23 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Protestojnë serbët e Kosovës kundër taksës ndaj mallrave serbe

Një protestë paqësore njëorëshe do të mbahet sot në komunat serbe Mitrovicë e Veriut, Graçanicë dhe Shtërpcë për shkak të taksës për mallrat serbe.

Sipas mediave serbe, vendimi është marrë pas takimit që serbët nga Kosova patën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pak ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksës doganore ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës nga 10 në 100 për qind.

Marko Gjuriq, drejtori i së ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën, tha se Serbia do të punojë 24 orë me serbët në Kosovë për të zgjidhur çështjen.

Në një deklaratë për shtypin pas takimit, Gjuriq tha se Prishtina ka kryer një ‘masakër’ ekonomike kundër serbëve në Kosovë me qëllim ‘të dëbimit’ të tyre.

Serbët kanë paralajmëruar edhe mundësinë e bllokimit të rrugëve dhe se protesta në Mitrovicën e Veriut do të mbahet në Qendrën e Shëndetësisë dhe Qendrën e studentëve.