13:29 / E Hënë, 18 Tetor 2021 / OSH

Protestojnë studentët e Shqipërisë; refuzojnë të vaksinohen

Qindra studentë të Shqipërisë ia kanë mësyer Ministrisë së Arsimit, pasi nuk u lejuan të futen në universtet pa dëshmi të vaksinimit, njofton IndeksOnline.

Protesta ka qenë e paralajmëruar, pasi studentët kanë refuzuar t’i binden urdhrit për t’u vaksinuar nëse dëshirojnë të hyjnë në universitet.

Sipas studentëve, ata nuk mund të privohen nga e drejta e arsimimit për shkak të vaksinës.

Studentët e pavaksinuar janë përplasur me tre policët e vendosur në hyrje të ndërtesës së Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, raporton Top Channel.

Ata që kanë pasur dokumentin e vaksinimit ose të testit negativ kanë hyrë të qetë, por ata që nuk i kanë plotësuar kushtet janë lënë jashtë duke hasur kundërshtime.

Ndërsa në hyrje të Fakultetit të Ekonomisë studentët janë kontrolluar nëse janë vaksinuar apo kanë kryer testin e COVID-it.

Në Universitetin Politeknik të Tiranës gjithashtu ka pasur kontrolle që në hyrje dhe të pavaksinuarit e studentët që nuk kanë pasur një dokument se kanë kryer test COVID janë lënë jashtë godinës.

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan shumica janë të pavaksinuar, disa me maska e disa jo, ndërsa askush nuk është  kujdesur për distancën fizike.

Në Universitetin e Elbasanit llogaritet të jenë vaksinuar rreth 30% e studentëve.

Siç raporton TV Klan, nga autoritetet ende nuk ka një reagim se çfarë do të ndodhë me studentët që nuk kanë marrë vaksinën, pasi në disa universitete ata janë lejuar që të vijojnë mësimin.