07:00 / E Enjte, 15 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Protestojnë zjarrfikësit, këto janë kërkesat e tyre

Megjithëse është paralajmëruar se nga viti 2019 zjarrfikësve do iu paguhen edhe orët shtesë, këta të fundit pritet të mbajnë sot protestë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa më datë 8 nëntor ka pritur në takim Muharrem Beka nga Sindikata e Zjarrfikësve, me ç’rast për së afërmi është njoftuar për kërkesat e tyre, shqetësimet dhe në tërësi për gjendjen e Zjarrfikësve në nivel vendi.

Me këtë rast ministri Mustafa pas konsultimeve intensive me zyrtarët përkatës, shprehë gatishmërinë e plotë që në buxhetin e propozuar për vitin 2019-të, kategorisë së zjarrfikësve, t’iu paguhen orët shtesë jashtë orarit zyrtar të punës dhe të shikohet çdo mundësi ligjore që të rritet pagesa për rrezikshmërinë.

Mirëpo, kjo nuk po i ndalë zjarrëfikësit që sot të shpreshin pakënaqësitë e tyre duke kërkuar veprime konkrete për përmirësimin e gjendjes së tyre.

Ata nuk pritet të ndalen me realizimin e protestave deri të shohin veprime konkrete për ato që po i kërkojnë.

Si kërkesa kyçe drejt institucioneve shtetërore që Sindikata e Zjarrfikësve i ka paraqitur në një konferencë për media janë nivelizimi i koeficienteve në nivel komunave, nivelizimi  i rrezikshmërisë së punës me Policinë e Kosovës, të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore, fetare dhe orët jashtë orarit, të përmirësohen kushtet e punës, të sigurohen pajisje dhe mjete për punë.

Zjarrfikësit me qëllim që kërkesat e tyre të plotësohen patën protestuar edhe më 12 korrik, dhe se me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj ishte themeluar një komision qeveritar që do të merrej me përmirësimin e gjendjes së këtyre punëtorëve.

Protesta nis nga parkingu i Pallatit të Rinisë, ora 10:30, për të vazhduar para objektit të Qeverisë në ora 11:00./Indeksonline/