14:21 / E Martë, 18 Prill 2023 / A. M.

PSD-ja padit Agjencionin për Informim dhe Privatësi, kundërshton gjobën prej 20 mijë eurosh

Partia Socialdemokrate ka dorëzuar padi ndaj Agjencionit për Informim dhe Privatësi. Padija është bërë në Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Teuta Rrusta, nga kjo parti tha se gjoba e shqiptuar vlerësohet e padrejtë dhe për këtë e akuzoi pushtetin.

Sipas saj, ky vendim ka vetëm qëllim pengimin e aktiviteteve të kësaj partie.

”Vendimi për dënimin e PSD-së me 20 000 € ka vetëm një qëllim: pengimin e aktivitetit të saj politik. Baza ligjore mbi të cilën është shkruar kjo gjobë lëngon nga zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore, përkatësisht i dispozitave përkatëse të Ligjit nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

“PSD sot ka paditur këtë Agjension, duke kërkuar anulimin e vendimit, qartësisht të pabazë dhe tendencioz. Për më tepër, gjeni të bashkangjitur padinë”.

Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion simbolik para Agjencionit ditë më parë pasi ishte dënuar me 20 mijë euro.

Dënimi prej 20 mijë euro ka qenë për shkak të publikimit të peticionit me emra kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.