17:46 / E Diele, 13 Maj 2018 / indeksADMonline

PSD thotë se LDK-së nuk është seriozisht e interesuar për zgjedhje

Njëri prej deputetëve të PSD’së, Frashër Krasniqi, ka thënë se Partia e Isa Mustafës nuk po duket serioze me nismat për tryeza të partive politike. Sipas tij, LDK në fillim kishte qëndrim që vendo të shkojë në zgjedhje të reja kurse tash po flasin për tema krejt tjera.

Edhe në partinë e re, Partia Socialdemokrate, thonë se vendi është në krizë dhe si parti do të mundohen që vendin ta nxjerrin nga kjo gjendje. Deputeti Frashër Krasniqi tha se PSD-ja në vazhdimësi do të jap rekomandime dhe do të merr pjesën këto takime.

“Sa u takon rekomandimeve do t’i bëjmë të qarta në këto tryeza. Ne kemi krijuar tash një formë në lidhje më çështjen e dialogut edhe në lidhje me çështjen se si e shohim organizimin shoqëror në Kosovë për t’i tejkaluar disa probleme si rezultat i të cilave kemi ngërç dhe krizë politike”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka hedhur kritika në drejtim të LDK-së duke thënë se nuk po arrinë që të tregohet serioze në qëndrime dhe veprimet e saja karshi gjendjes aktuale politike.

“Mendoj se duhet të ketë një qartësim nga ana e LDK-së e cila nuk po duket aspak serioze në nismën e saj, ngase faktikisht në fillim doli me idenë që të shkoj në mocion votëbesimi për qeverinë, kurse tash nuk qëndron mbrapa kësaj ideje. Kështu që po duket se nuk ka asnjë përpjekje opozitare”, tha Krasniqi.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht se a do të formohen apo jo grupet për hartimin e planeve për tema të përfolura, si dialogu, Asociacioni, reformat zgjedhore dhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga to, sipas tij, nuk mund të ketë asgjë relevante.

Hoti tha se aktualisht në Kuvend nuk ka një shumicë parlamentare dhe pa shumicën parlamentare, nënvizoi ai, nuk mund të udhëhiqen institucionet.
“Duhet të dakordohemi se si vendi të shkojë në zgjedhje të reja dhe gjatë kësaj periudhe duhet të merremi vesh se si duhet të adresohen temat e rëndësisë nacionale në mënyrë që të mos paralizohen institucionet. Kjo është krejt esenca e këtyre tryezave. Çdo gjë tjetër që shkon përtej tyre, Lidhja Demokratike nuk i mbështetë dhe nuk bëhet pjesë e tyre”, tha Hoti.