13:43 / E Diele, 24 Janar 2021 / Blerim

PSD: Vjosa Osmani e ka shndërruar zyrën e presidencës në nëndegë të Kurtit

Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi përmes një postimi në Facebook, ka folur rreth adresimit të ushtrueses së detyrës së Presidentit, Vjosa Osmanit, rreth moscerfitikimit të disa subjekteve politike nga  KQZ-ja.

Ai ka thënë se është hera e parë që një Presidente në detyrë është në të njëjtën kohë edhe në garë zgjedhore.

“Zëvendësimi i kapjes. Ajo çka ka bërë u.d. e Presidentes Vjosa Osmani dje, është njëmend ndryshim. Por veç ndryshim i keqpërdorimit të institucionit. Nga ndryshuar personi dhe diskursi, por institucioni ka ngelur i kapur. Është hera e parë që një presidente në detyrë, njëkohësisht është edhe në gare zgjedhore. Rrjedhimisht, Vjosa e ka shndërruar zyrën e presidencës në një nëndegë të z.Kurti”, ka shkruar Nushi.

Nushi ka thënë se Osmani nga ajo zyrë është përkujdesur ta rivërtetojë nënshtrimin ndaj liderit, duke akuzuar dhe kërcënuar KQZ-në për anshmëri, derisa vetë është e anshme.

“Nga kjo zyre dje, u përkujdes ta rivërtetojë nënshtrimin ndaj liderit. Në mënyrë të paprecedente akuzoi dhe kërcënoi një institucion të pavarur për anshmëri, përderisa Vjosa vet është e anshme. Kemi parë se si Vjosa, si “feministe” e vetë deklaruar nuk e çeli gojën kur u linçua drejtuesja e KQZ”, ka shkruar Nushi.

Ai thotë se Osmani po përdorë taktikën e ish-Presidentit Hashim Thaçi, duke dalë me video-mesazhe në mënyrë që t’u shmanget pyetjeve të gazetarëve.

“Kemi parë sesi Vjosa po u adresohet qytetarëve me videokonferenca, taktike kjo e liderit teësaj të ri. Kështu po i pamundëson pyetjet e gazetarëve. Taktikë kjo e Presidentit Thaçi. Kemi parë që në zyrën ku priten delegacione të nivelit të lartë, Vjosa priti edhe asamblistë të Ferizajt për t’i aderuar në “partine” e saj”, ka shkruar Nushi.