20:00 / E Martë, 22 Mars 2022 / AR

Pse bota po shpreson që e dashura e Putinit mund ta ndalojë luftën?

Miqtë e Alina Kabaeva, e dashura e shumëpërfolur e presidentit rus, Vladimir Putinit, po e lusin që të shkojë në Moskë për ta bindur që t’i japë fund luftës, ndërkohë vetë ajo po përballet me kërkesën për dëbim nga Zvicra.

“Mikeshat e Alinës po i luten që të fluturojë drejt Putinit dhe ta bindë atë të mbyllë luftën. Ai nuk po dëgjon askënd, por ndoshta mund ta dëgjojë atë. Nga ana tjetër, Putini është i rrethuar nga siguria. Alina thotë se nuk e di nëse mund të arrijë tek ai, por edhe nëse e bën, ajo ka frikë se nuk do të jetë në gjendje të dalë përsëri për të qenë me fëmijët e tyre”, tha një burim për Page Six.

Kabaeva, një gjimnaste fituese e medaljes së artë olimpike, thuhet se ka katër fëmijë me Putinin, dy djem dhe vajza binjake, megjithëse të dy nuk e konfirmuan kurrë zyrtarisht këtë lajm.

Fëmijët dyshohet se kanë lindur në Zvicër dhe të gjithë kanë pasaporta zvicerane, ndërsa sipas një burimi, vetë Kabaeva ka pasaporta me një numër emrash dhe kombësish të ndryshme.

Ajo dhe fëmijët janë fshehur në një shtëpi luksoze private në pronësi të një personi besnik të Putinit, rezidencë kjo e cila gjendet pranë kufirit francez në Zvicër.

Vetë qeveria zvicerane nuk ka informacion të fortë nëse Kabaeva dhe fëmijët e saj po strehohen në vend, por burimi për Page Six shtoi se: “Alina mund të udhëtojë me një sërë emrash dhe pasaportash të ndryshme. Ajo fluturon me avionë privatë dhe nuk do të rrezikonte të udhëtonte me emrin e saj”.

Më shumë se 50 mijë njerëz kanë kërkuar që Kabaeva dhe fëmijët e saj të dëbohen nga Zvicra pas të veprimeve të Putinit ndaj Ukrainës.