21:23 / E Martë, 26 Tetor 2021 / C E

Pse demotivohen punëtorët dhe si duhet të veprojnë punëdhënësit?

“Gjithmonë duhet t’i trajtoni punonjësit tuaj pikërisht ashtu siç dëshironi që ata të trajtojnë klientët tuaj më të mirë!” Stephen R.Covey

Përgatiti Msc.Doruntina Grulaj, psikologe në Psikologji Organizative Sociale

Sot pothuajse të gjitha kompanitë janë në kërkim të kandidatëve që posedojnë aftësi të forta komunikuese. Ata që janë folës dhe të përgatitur vlerësohen nga punëdhënësit, andaj u japin përgjegjësi më lehtë po ashtu edhe u besojnë detyrat. Këto aftësi përfshijnë dëgjimin, të folurit, vëzhgimin, empatinë, durimin dhe qëndrimin pozitiv. Shtrohet pyetja: punëdhënësit vallë e praktikojnë këtë me punonjësit e tyre? Kjo gjë po që lë shumë për të dëshiruar. Gjithmonë është temë diskutimi si në familje, me kolegë, rrethin shoqëror se si u shkon puna në kompanitë e vendet ku punojnë. Në diskutime të tilla hasim çdo ditë padrejtësi në vendet e punës nga punëdhënësi ndaj punëmarrësit, dhe përmbushjen e detyrave që ata kërkojnë nga punonjësit kurse atë që u përket atyre nuk i përmbushin fare ose pak.

0

Kështu, shpesh kemi demotivimim e punonjësve si rezultat i papërshtatshëm të punës, detyrave jashtë marrëveshjes, mosnënshkrimi i kontratave, pagës shumë të ulët në raport me punën që ata bëjnë etj. Rrjedhimisht edhe vijnë situata jo të mira, të cilat çojnë drejt humbjes së dëshirës për punë.

Ndër problemet kryesore është se punëdhënësit nuk kanë relacion të mirë me punonjësit e tyre. Ata nuk i trajtojnë si kolegë, kolektiv por vetëm si njerëz që duhet të kryejnë punën e tyre, përdorin mënyrën e shprehjeve jo të duhura, janë edhe gjuhëprerë.

Agjensia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e parë (TM1) 2021. Sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Aty përfshihen moshat 15-64-vjeçare. Punësimi më i lartë ishte te meshkujt (42.8 %), ndërsa punësimi te femrat ishte 15.9 %. Papunësia më e theksuar është te femrat me 29.7 %, krahasuar me meshkujt, 24.2 %. Shkalla më e theksuar e papunësisë ishte te grupmoshat 15-24-vjeçare me 48.6 %. Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2021, shkalla e papunësisë është 25.8 %. Sipas agjencisë kishte rënie të shkallës së papunësisë.

Mirëpo të gjithë jemi në dijeni që papunësia vazhdon të rritet sidomos me ardhjen e pandemisë Covid-19, ku shumë punonjësve u janë bërë shumë padrejtësi, derisa disa kanë lënë vendet e punës, disa të tjerë i kanë larguar, prandaj kjo nuk mbetet vetëm problem ekonomik sepse në shumicën e krizave që kanë kompanitë, punëtorët e tyre solidarizohen dhe punojnë edhe më orare të zgjatura edhe pa pagesë. Kjo gjë nuk u llogaritet për të vetmin fakt sepse ata gjithmonë punojnë ashtu dhe punëmarrësit nuk arrijnë ta dallojnë as ta vlerësojnë këtë gjë. Duket se gjërat janë kthyer kundër, sepse tani si kurrë më parë shohim njoftime se të gjitha bizneset kërkojnë punëtorë si në: gastronimi, ndërtimtari, agjentë tregtar, anketues etj., etj.

01

A është arsyeja se të gjithë janë të punësuar, kanë bizneset e tyre dhe janë të vetëpunësuar?

Padyshim që jo. Këtu luajnë rol tejet të rëndësishëm shumë faktor, duke filluar nga komunikimi jo i mirë i punëdhënësit ndaj punëmarrësit, pastaj kushtet e punës, pagat e ulëta, vonesat e tyre, emigrimi drejt vendeve të tjera për një jetë më të mirë etj. Komunikimi jo i mirë fatkeqësisht është qasje jo e duhur ku sjell efekte negative drejt demotivimit të punëtorëve, rrjedhimisht disponimi tyre ndikon tek kolegët, efekti tek klientela e kështu me radhë derisa vjen tek performanca e dobët në punë, mospërshtatja pas asaj gjendjeje dhe diskutimet e panevojshme bëjnë të largohen, pastaj në anën tjetër ndërrimi i stafit ndikon negativisht edhe tek klientela, tek të punësuarit e tjerë.

02

Por a duhen motivuar punëtorët e demotivuar dhe si?

Mund të ritheksojmë se rol kyç luan komunikimi mes punëdhënësit me punëmarrësit, fjalët e mira, sjellja e mirë ndaj punëtorëve ndikon shumë tek ata sepse ndihen që gëzojnë respektin dhe interesimin e shefit ndaj tyre, dhe kjo gjë i bën ata që të familjarizohen duke shtuar interesimin për punën dhe ambientin ku punojnë. Gjithmonë flasim për njerëz që duan punën dhe dinë të gëzojnë raportin dhe komunikimin njerëzor, pa e marrë si për të mirëqenë qasjen drejt tyre.

Motivimi ndikon pozitivisht në rritjen e vetëbesimit tek punëtori si dhe arritjen me sukses të detyrave në punë, po ashtu edhe kryerjen e detyrave të reja apo ushtrimit të profesionit tjetër, duke shtuar vullnetin për punë. Duke plotësuar të drejtat e punëtorëve kushtet e punës si: orarin, ditët e pushimit, pauzat, pushimet vjetore, respektimin e festave etj, rritjen e pagës (apo shpërblim ndaj punëtorëve për detyra sidomos ato madhore të përfunduara me kohë), d.m.th gjëra që fare lehtë mund të realizohen nga punëdhënësi e që kanë shumë ndikim pozitiv tek punëmarrësi. Por, thënë të drejtën, pak përfillen nga punëdhënësit në Kosovë përkundër përkushtimit të punëtorëve ndaj punës në bizneset e tyre. Kjo duhet të jetë reciproke sepse asnjë kompani nuk mund të mbijetojë pa fuqinë punëtore.