20:15 / E Mërkurë, 22 Dhjetor 2021 / AR

Pse dozat përforcuese të vaksinave mund të zgjasin pandeminë, sipas OBSH-së

Shumë shtete po ndërmarrin fushata për dozat përforcuese të vaksinave të Covid – një përpjekje për të vazhduar me organizimet festive – mirëpo Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se fushatat e dozës përforcuese kanë të ngjarë të zgjasin pandeminë në vend që t’i japin fund.

“Programet përforcuese të përgjithshme kanë të ngjarë të zgjasin pandeminë në vend që t’i japin fund duke devijuar furnizimin drejt vendeve që tashmë kanë nivele të larta të mbulimit të vaksinimit dhe duke i dhënë virusit më shumë mundësi për t’u përhapur dhe për të pasur mutacione,” tha Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, në një konferencë për shtyp.

Aktualisht, rreth 20% e dozave të vaksinave në botë të administruara çdo ditë jepen si përforcues, edhe pse vetëm gjysma e shteteve anëtare të OBSH-së kanë qenë në gjendje të vaksinojnë 40% të popullsisë së tyre dhe gati tre në katër punonjës shëndetësorë në Afrikë janë të pavaksinuar.

“Doza përforcuese nuk mund të shihet si një biletë për të vazhduar me festimet e planifikuara pa pasur nevojë për masa të tjera paraprake,” shtoi Dr. Tedros.

Ai tha se furnizimi duhet të jetë i mjaftueshëm për të vaksinuar të gjithë popullsinë globale deri në tremujorin e parë të vitit 2022. Ai u bëri thirrje shteteve që të përqendrohen në mbështetjen e vendeve të tjera përsa i përket vaksinimit 40% të popullsisë.