14:38 / E Martë, 16 Tetor 2018 / indeksADMonline

Pse po zvarritet heqja e roamingut me Shqipërinë?!

Janë bërë disa muaj që kur 11 deputetët e pavarur të Kuvendit të Kosovës, patën bërë kërkesë për heqjen e ROAMING-ut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo rezolutë e miratuar nga Kuvendi, u propozua me qëllim që të hiqen tarifat dhe qytetarët të mund të komunikojnë me çmime sikurse në vendet e tyre.

Ani pse janë zhvilluar disa takime mes palës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ky proces edhe më tej vazhdon të zvarritet.

Ministri Valdrin Lluka në një intervistë për Indeksonline ka thënë se sa i përket anës sonë janë kryer të gjitha proceset, dhe se tani po presin palën tjetër për finalizim.

“Jam taku me ministrin Gjiknuri, do të takohem përsëri edhe gjatë muajit nëntor me të. Më kanë njoftuar se kanë gjetur hapësirë ligjore për të çuar përpara këtë proces. Tash janë në proces sipas tij, nuk më kanë dhënë kohë ose afat se kur pritet të finalizohet besoj se është çështje e brendshme.”, ka thënë Lluka.

Megjithëse, gatishmëria e palës kosovare ka qenë që një proces i tillë të finalizohet në muajt e sezonës verore, një gjë e tillë nuk ndodhi.

“Varet nga ta, nga ana jonë kanë përfundu proceset, kurse nga ana e tyre, nuk mundemi me i bërë presion me kohën, por jo nuk kemi marrë ndonjë afat, veç na kanë njoftuar se kanë gjetë formën ligjore që me hec përpara edhe janë duke e kryer këtë proces.”, ka shtuar ai.

Lluka ka arsyetuar ministrin Damian Gjiknuri, duke thënë se po i njëjti ka edhe prioritete tjera në detyrën e tij.

Ndryshe, heqja e roamingut është një nga shërbimet më të rëndësishme që do t’iu mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë komunikim shumë më efikas dhe më të lirë./Indeksonline/