09:44 / E Enjte, 21 Shkurt 2019 / indeksADMonline

PSG me njoftim të rëndësishëm për dëmtimin e Neymar

Neymar do ta vazhdojë rehabilitimin e tij nga dëmtimi në këmbë në Brazil, por do të mbetet nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të PSG. Kështu ka konfirmuar klubi parizien.

Futbollisti pritet të mbetet jashtë fushave edhe shtatë javë të tjera, kohë në të cilën beson ta kalojë dëmtimin e pësuar në ndeshjen e “Coupe de France” në Strasburg, më 23 janar.

Në një deklaratë në faqen zyrtare të klubit kampion të Ligue 1, thuhet: “Neymar Jr do ta vazhdojë riaftësimin në Brazil, nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të PSG. Klubi ka vendosur ta dërgojë Neymar Jr në Brazil për 10 ditë. Sulmuesi do të largohet këtë të enjte, i shoqëruar nga një ekip mjekësor i PSG, për të vazhduar trajtimin specifik, që e ka nisur tashmë në Paris dhe Barcelonë, që nga fundi i janarit”.

Neymar shënoi 13 gola në 13 ndeshje të Ligue 1, përpara se të dëmtohej. Ky dëmtim është i ngjashëm me atë që pësoi në një fazë të njëjtë të sezonit 2017-2018. Deklarata e klubit vazhdon: “PSG tregon përsëri mbështetjen e plotë për Neymar Jr dhe përshëndet vendosmërinë që ai ka treguar nga fillimi i riaftësimitnga dëmtimi”.