Publikohen pamje nga dhoma private e mbretëreshës ku Harry nuk ishte lejuar të hynte për 33 vite
Pallati Buckingham ka 775 dhoma, nga sallat madhështore te hapësirat më të thjeshta të stafit. Por mes gjithë këtyre dhomave, kishte një vend ku princ Harry nuk kishte hyrë kurrë, deri pak para dasmës së tij me Meghan Markle.
Në librin e tij “Spare”, Duka i Sussex-it ka treguar se nuk e kishte parë kurrë nga brenda dhomën private të veshjes së gjyshes së tij, mbretëreshës Elizabeth II, deri në moshën 33-vjeçare.
Sipas Harry-t, pak para dasmës, mbretëresha i ftoi atë dhe Meghan Markle në pallatin mbretëror për të parë koleksionin e saj të tiarave (lloj kurore zbukuruese). Ishte momenti kur Meghan do të provonte disa prej tyre, përpara se të zgjidhej tiara që do të mbante në ditën e dasmës.

Harry e përshkruan atë mëngjes si të jashtëzakonshëm. Ai dhe Meghan hynë në dhomën private të veshjes së mbretëreshës, pranë dhomës së saj të gjumit, një hapësirë ku ai nuk kishte qenë asnjëherë më parë. Aty ndodheshin edhe një eksperte bizhuterish, një historiane që njihte origjinën e secilit gur të koleksionit mbretëror, si dhe Angela Kelly, stilistja dhe personi i besuar i mbretëreshës.

Në tavolinë ishin vendosur pesë tiara dhe mbretëresha i kërkoi Meghan-it t’i provonte një nga një përpara pasqyrës. Harry qëndronte pas saj, duke e parë gjithë skenën.
Edhe pse mund të duket e çuditshme që një nip i mbretëreshës të mos kishte hyrë kurrë në një dhomë të tillë, Harry ka theksuar shpesh se për të, Elizabeth II nuk ishte vetëm gjyshja e tij, por edhe kreu i monarkisë. Këtë ai e kishte të vështirë t’ia shpjegonte Meghan-it në fillimet e lidhjes së tyre.

Në “Spare”, Harry kujton edhe momentin kur e pyeti Meghan-in nëse dinte të bënte përkuljen mbretërore. Ajo mendoi se ai po bënte shaka, sepse po takonte “gjyshen” e tij. Por Harry ia ktheu: “Po, por ajo është Mbretëresha.”
Për Harry-n, ajo vizitë mbeti një moment i rrallë: jo vetëm sepse lidhej me dasmën e tij, por sepse për herë të parë hyri në një nga hapësirat më private të gruas që për të ishte njëkohësisht gjyshe dhe mbretëreshë.

