15:19 / E Martë, 06 Nëntor 2018

Publikohet Raporti i Vlerësimit të Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave

Republika e Kosovës ka një bazë solide për zhvillimin e një iniciative efektive për hapje të të dhënave dhe se klima e tanishme politike është e favorshme për zhvillimin e një iniciative të tillë.

Kështu u tha me rastin e publikimit të Raportit të Vlerësimit të Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave – ODRA, në një konferencë të organizuar nga Ministria e Administratës Publike (MAP), ku morën pjesë përfaqësues nga institucionet dhe shoqëria civile.

Raporti ODRA po ashtu përmban një Plan të Veprimit Kombëtar për hapjen e të dhënave. Në mesin e aktiviteteve që parashihen me këtë plan të veprimit është edhe krijimi i kornizës së nevojshme institucionale për zbatimin e politikave për hapjen e të dhënave në Kosovë.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ri-konfirmoi vullnetin dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj hapjes së të dhënave.

Ai tha se tashmë është hartuar një propozim–vendim për t’u paraqitur për aprovim në Qeverinë e Kosovës përmes së cilit do të krijojmë një Komision Drejtues për Hapjen e të Dhënave në përbërje të së cili do të kemi edhe organizata nga shoqëria civile.

“Sektori publik prodhon dhe mbledh një gamë të gjerë të dhënash dhe ne synojmë që këto të dhëna t’i bëjmë publike dhe lehtë të qasshme për qytetarin, në format që mundëson përpunimin e tyre kompjuterik, dhe mund të përdoren, ripërdoren, shpërndahen, pa kufizime që rrjedhin nga të drejtat e autorit, patentat apo mekanizma të tjerë të kontrollit”, u shpreh Yagcilar.

Ai shtoi se hapja e të dhënave përveç që forcon transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë, nxit inovacionin si dhe sjell shumë përfitime pozitive për qytetarët, komunitetin e bizneset dhe sektorin publik

Krahas kësaj në kuadër të Agjencisë për Shoqëri të Informacionit do të krijohet një njësi e veçantë dhe e dedikuar për hapjen e të dhënave dhe për menaxhimin e portalit për të dhëna të hapura.

Ish-shefja e njësisë për të dhëna të hapura në Bankën Botërore Amparo Ballivián mirëpriti përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të promovuar të dhëna të hapura dhe tha se publikimi i raportit të ODRA është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.

Ndërsa, Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës TIK të Kosovës (STIKK), tha se hapja e të dhënave është e rëndësishme për hulumtim dhe zhvillim, si dhe ndihmon bizneset për të marrë vendime të informuara dhe për zhvillimin e tyre strategjik.

Ndryshe, raporti ODRA  (Open Data Readiness Assessment – Vlerësimi i Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave) është një metodologji e zhvilluar nga Banka Botërore dhe përbëhet nga 8 kapituj ku është vlerësuar Kosova: lidershipi, kuadri ligjor, strukturat institucionale, përgjegjësitë dhe aftësitë brenda qeverisë, politikat e qeverisë për menaxhimin e të dhënave të hapura, procedurat dhe disponueshmëria e të dhënave, kërkesa për të dhëna të hapura, angazhimi qytetar për të dhëna të hapura, financimi i një programi për hapjen e të dhënave si dhe infrastruktura teknologjike.

Raporti ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës në Kosovë për sa i përket hapjes së të dhënave. Raporti për Kosovën është përgatitur nga një ekip i ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë në kuadër të projektit të MAP për përkrahjen e reformave të administratës publike.

Banka Botërore ka bërë rishikimin e raportit dhe ka ofruar komente, ndërkohë që janë konsultuar edhe shoqëria civile dhe akterë të tjerë të fushës së teknologjisë së informacionit.