08:37 / E Mërkurë, 11 Korrik 2018 / indeksADMonline

Publikohet strategjia kundër terrorizmit

Parandalimi, prokuroria dhe mbrojtja janë fjalët kyçe për luftimin e terrorizmit në strategjinë kundër terrorizmit për vitet 2018-2022 të publikuar nga Këshilli i Evropës.

Me anë të këtyre elementeve, kjo strategji synon të luftojë terrorizmin, që vitet e fundit ka qenë një kërcënim i madh për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, por edhe më gjerë.

Përmes ligjit synohet parandalimi i radikalizimit që çon në terrorizëm, duke përfshirë rekrutimin, trajnimin, shpërndarjen e ideologjisë terroriste dhe financimin e terrorizmit.

Strategjia ndërlidhet jo vetëm me parandalimin e sulmeve terroriste apo incidenteve të ngjashme, por edhe parandalimin e faktorëve të tjerë që ndihmojnë ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Në përputhje me nenin 3 të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin e Terrorizmit, parandalimi bazohet në rolin dhe përgjegjësinë e shumë faktorëve nga të gjithë sektorët e shoqërisë, jo të vetëm të autoriteteve të zbatimit të ligjit, por edhe në fusha të tjera, në veçanti shërbimet sociale dhe edukimi.

Synohet rritja e ndërgjegjësimit për radikalizmin dhe masat e tjera parandaluese, veçanërisht në shkolla.

Po ashtu, përmes kësaj strategjie, synohet parandalimi dhe luftimi i provokimit publik, terrorizmit, propagandës, radikalizmit, rekrutimit dhe trajnimit.