10:37 / E Martë, 01 Shtator 2020 / indeksADMonline

Pulmologu Morina thotë se bartja e maskave, ka ndikuar në uljen e numrit të të infektuarve

Ka më shumë se gjysmë viti prej kur qytetarët e vendit tonë ashtu si edhe në të gjithë botën po ballafaqohen me pandeminë COVID-19, ndërsa kërkimet për një vaksinë a ilaç po vazhdojnë.

Ky virus është bërë pjesë e përditshmërisë, e masat rigoroze në luftën kundër përhapjes së infeksionit, të vëna nga Qeveria, përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë janë kthyer në obligative, në të kundërtën po ka edhe dënime.

Por, ajo që është vërejtur ditëve të fundit, është rënia e numrit të rasteve pozitive, në krahasim me javët e kaluara. Derisa numri i vdekjeve vazhdon të jetë shqetësues.

E për rënien e të infektuarve, pulmologu kosovar dr. Besim Morina thotë për Indeksonline se kanë ndikuar pikërisht edhe masat anti-COVID, në veçanti, bartja e maskave.

“Po, është e vërtetë që numri i rasteve të reja me COVID-19 është ulur, derisa numri i vdekjeve mbetet i lartë, por kjo është e pritshme pasi fillimisht vjen deri te zvogëlimi i numrit të rasteve të reja dhe vetëm pas një kohe këtë trend e ndjek edhe numri i vdekjeve nga COVID-19.

Ulja e numrit të rasteve të reja mendoj që është rezultat i disa faktorëve, përfshirë këtu masat e marra me bërjen e obligueshme të mbajtjes së maskave dhe masave të tjera kufizuese, por edhe ndoshta se pandemia është afër arritjes së një platoje ku numri i të infektuarve aktiv dhe atyre që e kanë kaluar infeksionin është i konsiderueshëm dhe si i tillë shërben si barrierë e përhapjes”.

Ndërsa, për gjetjen e një vaksine kundër këtij virusi, pulmologu kosovar thotë se pritet qe në fund të vitit të dalin edhe dozat e para në përdorim.

“Gjetja e vaksinës efektive kundër COVID-19 është afër dhe pritet që në fund të këtij viti të dalin dozat e para për përdorim. Janë disa grupe punuese nga shtete të ndryshme që janë në këtë garë. Me sa e di edhe vendi ynë ka bërë paraporosi për një numër të caktuar të dozave, të cilat normalisht në fillim duhet të rezervohen për grupet e rrezikuara dhe ata me sëmundje kronike”.

Pasi po ofrohet sezoni vjeshtë – dimër, Morina thotë se edhe ëpr shkak të gripit sezonal, do të ketë ngarkesë në sistemin shëndetësor.

“Vështirësia e sezonit vjeshtë – dimër, qëndron në faktin që numrit të të infektuarve me COVID-19 t’i shtohet edhe një numër i të infektuarve me grip sezonal, gjë që mund ta ngarkojë pak më shumë sistemin tonë shëndetësor. Sipas shumë projektimeve, pritet që pandemia të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm, ndoshta më intensive në regjionet të cilat këtë vit janë prekur më pak”.

Ndërsa sa i përket Kosovës, doktori kosovar jep shpresë, duke thënë që vendi ynë edhe pse do të vazhdojë të ketë raste me COVID, do të përballet me një numër më të vogël të infeksioneve, pasi që sipas tij një pjesë e popullatës është imunizuar gjatë këtij viti.

Kujtojmë që deri më tash, janë regjistruar mbi 13 mijë raste pozitive me COVID, janë shëruar afërn 10 mijë, ndërsa janë shënuar mbi 500 raste fatale./Indeksonline