13:44 / E Hënë, 24 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Punë e paktë kërkimore, në universitetet e Kosovës

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, në bashkëpunim me Zyrën e BE-së, sot ka bërë promovimin e projektit strukturor “Ngritja e kulturës kërkimore në arsimin e lartë në Kosovë”, në të cilin u bë vlerësimi i gjendjes aktuale të kapaciteteve kërkimore në sektorin e arsimit të lartë në Kosovë.

Në bazë të vlerësimeve thuhet se në universitetet e Kosovës është e nevojshme të futet puna kërkimore dhe hulumtimet, pasi janë të pakta, por që tash e tutje pritet të shtohen me ndihmën e këtij projekti.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, deklaroi se gjendja në arsim është jo e mirë andaj ka nevojë për përmirësime dhe ngritjen të cilësisë.

Bajrami potencoi se do të ketë rritje të buxhetit për reformat në arsim dhe se qeveria e re do të punojë shumë në këtë drejtim.

“Ju e dini që ne jemi në ditët e para të mandatit dhe jemi në fazën e skanimit të gjendjes në të gjitha nivelet e arsimit dhe më lejoni të them se kemi vërejtur që në këto ditë ka nevojë për përmirësime, ashtu siç fillon edhe ky projekt me fjalën ‘përmirësim’ unë besoj që ne të gjithë së bashku do të punojmë dhe do të bashkëpunojmë në mënyrë që t’i përmirësojmë të gjitha këto fusha, në fushën e kërkimeve shkencore ka hapësirë jashtëzakonisht të madhe dhe ka fonde të cilat janë në dispononim tonin edhe tuajin në mënyrë që ne të risim kërkimet shkencore në funksion të inovacionit dhe në funksion të ngritjes së mirëqenie të gjithë qytetarëve tonë“, u shpreh Bajrami.

Bajrami theksoi se, Kosova pritet ta avancojë statusin në vend të asocuar në programin e ardhshëm në BE “Horaisen 2020”.

Hillen Francke nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se Kosova është mbrapa lidhur me sistemet kërkimore jo vetëm në BE, por edhe në rajon, andaj ajo apeloi për përkushtim të lartë në këtë projekt.

Francke theksoi se nëse Kosova bën progres në arsim do të ketë mundësi të bëhet edhe anëtare e programit ndërkombëtar.

“Kosova në masë të madhe ka arritur pjesëmarrjen e saj në Erasmus+ dhe dua t’ju uroj për këtë ka qenë një arritje shumë e madhe por edhe t’ju inkurajoj që të rrisni pjesëmarrjen edhe më shumë në të ardhmen, ky projekt të cilin po e nisim sot është njëri nga 3 projektet e përzgjedhur sipas thirrjeve të vitit 2019 për ngritjen e kapaciteteve, ndërsa Kosova është aplikues kryesor. Qëllimi është që të mbështetën masa strukturore si në universitetet e ashtu edhe në ministri ky është një projekt inovativ në kontekst të Kosovës sepse ofron mbështetje për mobilitetin e kërkuesve dhe publikimin e punëve kërkimore”, u shpreh Francke.

Jehona Lushaku, nga Erasmus+ zyra në Kosovë, tha se ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e arsimit të lartë në gjithë Kosovën, sipas saj hulumtimet dhe aspekti kërkimor janë ndër sfidat më të mëdha të arsimit në Kosovë, andaj apelon që të punohet me përkushtim në këtë projekt.

“Programi Erasmus + është njëri ndër programet më të rëndësishme që ka Bashkimi Evropian që për fokus ka arsimin e lartë, për ndërtimin e kapaciteteve ju asiston institucioneve të arsimit të lartë për t’i ndërtuar kapacitetet dhe këtu Kosova ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm duke marrë pjesë me aplikime dhe institucionet e arsimit të lartë mundë të aplikojnë për çdo vit me vlerë deri në 1 milion euro dhe mund të adresojnë sfidat e tyre që kanë”, u shpreh Lushtaku.

Sipas Lushtakut, ky projekt do t’i ofrojë mundësi të mëdha arsimit në Kosovë.

Udhëheqësja e projektit, Mihone Kerolli-Mustafa, tha se më këtë projekt synojnë të fuqizojnë kapacitetet e hulumtimeve në Kosovë, e krejt kjo sipas saj për shkak se rezultatet që kanë bërë më herët, tregojnë që Kosova është pak mbrapa në këtë aspekt.

Këtë projekt e përkrahen edhe shumë dekanë dhe përfaqësues të arsimit, të cilët thanë se do të jetë një ndihmesë në hulumtimet dhe kërkimet shkencore në universitetet e Kosovës.

Ndryshe ky projekt ka për qëllim të mbështesë ngritjen e kulturës së kërkimit në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, si dhe zhvillimin e politikave dhe praktikave të mira, krijimin dhe instalimin e rregulloreve, strukturave dhe mekanizmave të rinj në institucionet përfituese në Kosovë.