22:02 / E Premte, 12 Tetor 2018 / indeksADMonline

Punëtori i Bechtel-it i reagon Rufki Sumës: Pse ia shitët pronat kompanisë turko-amerikane?

Veprimi i kryetarit të Hanit të Elezit, Rufki Suma, për ndërprerjen e punimeve të Bektel-Encha në autobanin “Arbën Xhaferi”, ka nxitur reagimet e punëtorëve të kompanisë turko-amerikane.

Operatori i Bechtel-it, Shpëtim Berisha përmes një reagimi në “Indeksonline” ka dhënë një sërë kritikash në drejtim të Sumës.

Ai ka përmendur se nga komuna e Hanit të Elezit janë të punësuar një numër i madh i puntorëve, të cilët mbajnë familje nga paga që marrin prej kësaj kompanie.

“Nashta edhe e nal amo shumë njerëz janë tu punu aty nga Elesani që janë duke mbajt familje , tash atij (Rufi Sumës) i ka ra ndërmend me nal. Pse ja shiti pra atëherë pronat duke i dit pasojat. Ku punohet pa bo zhurmë o kryetar ?!  Qysh je a je mirë”, thuhet në reagimin e Berishës, transmeton Indeksonline

Ndryshe, për veprimin e të parit të Hanit të Elezit, i cili mbrëmë ndaloi punimet e kompanisë Bechtel-Enka për shkak se punimet po zhvilloheshin në orët e vona dhe kjo sipas tyre po i pengon banorët të zhvillojnë jetë normale nga zhurma e krijuar, ka reaguar edhe ministri, Pal Lekaj.

Sipas tij, është për keqardhje kur dëgjon se një projekt gjigant infrastrukturor që është në fazën e finalizimit, po pengohet.

“Autostrada “Arbën Xhaferi” që përveç lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve, ka ndikim pozitiv edhe në ekonominë e vendit, nuk guxon të përballet me të tilla ndalesa të organizuara për qëllime personale. Prandaj, Hani i Elezit duhet t’i gëzohet realizimit të këtij projekti, për të mirën e vendit”, ka thënë ai. /Indeksonline/